Luftëtari, drejt festave me dilemat e së ardhmes dhe krizën e borxheve


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Luftëtari e mbylli në mënyrën e duhur vitin 2018 dhe gjysmën e parë të këtij sezoni. Pas një starti zhgënjyes dhe shumë problematik sa i përket aspektit financiar, bluzinjtë kanë reaguar pikërisht në periudhën e festave, për t’i bërë më të bukura ato.

Sigurisht që përpara është një malore e vështirë, pasi gjirokastritët janë rikthyer në vorbullën e mbijetesës, duke parë që kanë fituar edhe rivalët direkt, Tirana dhe Kamza. Në një situatë të tillë duhet përmirësuar aspekti ekonomik, por mbi të gjitha ana organizative e klubit, aspekt që ka çaluar në këtë pjesë të parë.

Ekipi ka treguar rritje të dukshme nën drejtimin e Gentian Mezanit, por në sfida të veçanta lojtarët kanë shfaqur limite, sidomos në aspektin psikologjik. Më së shumti kanë qenë të preokupuar për të ardhmen e tyre. Mungesa e pagave bëri që disa prej futbollistëve të kërkonin largimin, ndërkohë që Eduart Rroca është i vetmi që është konfirmuar si largimi i parë. Prej kohësh drejtuesit e klubit kanë arritur marrëveshjen për kalimin e Vasil Shkurtajt drejt Kukësit, por për momentin është vetë lojtari që nuk është bindur për një transferim të tillë.

Në kushte të tilla pushimet duhet të shërbejnë si reflektim në Gjirokastër, pasi ekipi është dhe nuk duhet shpërbërë, që më pas të synohet mbijetesa. Lëvizjet në merkaton e janarit nuk japin garanci të mëdha, megjithatë është periudha e duhur për reflektim në mënyrë që ekipi, i cili ka mrekulluar në dy edicionet e fundit, të vijojë me të njëjtën mënyrë.