Luftëtari bën një tjetër ‘goditje’, vjen në Gjirokastër futbollisti nga klubi i famshëm boshnjak


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Luftëtari nis të kompletohet me shpejtësi pas konfirmimit të portierit kroato-zviceran, Hrvoje Bukovski, si dhe sulmuesit shqiptar, Romario Cekaj. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht edhe goditjen të tretë të orëve të fundit të klubit gjirokastrit. Presidenti Grigor Tavo ka arritur marrëveshjen me një prej qendërmbrojtësve më të mirë të kampionatit boshnjak në sezonin 2017-2018.

Bëhet fjalë për Nemanja Janiçiç, i cili vjen nga klubi i famshëm boshnjak, Borac Banja Luka, që mbylli kampionatin në vendin e tretë dhe siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Për drejtuesit gjirokastritë, duke parë edhe CV-në e lojtarit, e për më tepër faktin që ai ka qenë një titullar i padiskutueshëm në çdo skuadër ku ka luajtur, konsiderohet si goditja më e madhe për të kompletuar mbrojtjen. 31-vjeçari Janiçiç ka luajtur në në Superligën serbe me ekipe si Bezanija, Napredak Krusevac (kampion në sezonin 2012-2013) dhe Borac Çaçak.

Në fillimet e karrirës ka luajtur për dy sezone në Mal të Zi me Mogrenin. Në vitet 2015-2016 ka luajtur në Uzbekistan me Lokomotiv Tashkent, duke u shpallur kampion. Janiçiç ka eksperiencë edhe në ndeshjet ndërkombëtare, duke luajtur si në Ligën e Kampioneve, ashtu edhe në Ligën e Europës. Sot në mbrëmje boshnjaku i lindur në Banja Luka mbërrin në Tiranë dhe nesër firmos zyrtarisht për Luftëtarin.