Banorët e fshatit Dhoksat në Lunxhëri kanë lëshuar ankesa të shumta në adresë të Bashkisë Gjirokastër gjatë një takimi në kuadër të llogaridhënies së qeverisë, që zhvilluan me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, kreun e ALUIZNI-t, Artan Lame, deputetin Flamur Golemi dhe kreun e Hipotakeve. Ata u shprehën se janë të braktisur nga Bashkia Gjirokastër edhe pse paguajnë taksat.
“Do ju lutemi shumë, të paktën na zgjeroni pak rrugën. Qeveria lokale na ka harruar fare. I paguajmë të gjitha taksat, i përgjigjemi një më një. Pardje kishim një të moshuar të sëmurë. E kanë marrë me batanije e kanë nxjerrë te rruga lart. I bie që ne të vemi në Çajup pastaj të vemi në fshat”, tha një grua.
“Rrugë lagje nuk kemi. Gjendja është katastrofale. Dhe ato rrugë që janë bërë aty janë bërë me investime të vetë fshatit. Kemi paguar të tërë lekë që i kemi bërë. Ju lutem shikojeni, jemi shumë në hall”, tregoi një tjetër banor i Dhoksatit.
Ndërkohë në përgjigje të këtyre ankesave, ministrja Etilda Gjonaj tha se për këto çështje është Bashkia Gjirokastër që duhet të japë llogari. Megjithatë Gjonaj shtoi se, do t’i përcjellë në qeveri të gjitha problematikat dhe më pas është kryeministri që do të kërkojë ndjekjen e tyre prej kryetares së bashkisë apo administratorëve.
© ArgjiroLajm.net