Ediola Braha theu vendimin e LSI-së për të mos e pranuar mandatin e deputetit. Javën e ardhshme ajo pritet të bëjë betimin në Kuvend, duke marrë kështu mandatin e lënë në qarkun Gjirokastër nga Vangjel Tavo. Natyrisht që presioni ndaj saj ka qenë i madh, si nga Vangjel Tavo ashtu edhe nga Monika Kryemadhi. Por i fundit që mund të gjykojë vendimin e Ediola Brahës për të hyrë në Kuvend, qoftë dhe për egon apo interesin e saj personal, është pikërisht Vangjel Tavo.
Kujtoni pak kapërcimin e Tavos nga PS-ja tek LSI-ja në vitin 2010. Shpiku gjoja një konflikt me Flamur Bimen dhe drejtuesit e tjerë të PS-së, përfshi dhe kryetarin Rama, për të legjitimuar ikjen tek LSI-ja. Natyrisht që iku për interesat e veta personale. Bëri pazar me Ilir Metën dhe Sali Berishën, në qeverinë e të cilit mori edhe postin e Ministrit të Shëndetësisë.
Pra, për aq kohë sa vetë Tavo ka bërë pazar për interesa personale 9 vjet më parë, sot nuk mund të gjykojë Ediola Brahën përse ajo ndoqi interesat e veta personale duke thyer vendimin e LSI-së apo edhe duke bërë një pazar me Edi Ramën.
Madje në këtë rast ‘mëkati’ i saj është më pak i rëndë se i Vangjel Tavos. Ediola Braha merr një mandat që i takon me ligj nga partia që e përfshiu në listë dhe për të cilën bëri fushatë, ndërsa Vangjel Tavo fitoi mandatin nga PS-ja dhe ‘fluturoi’ në krahët e Ilir Metës dhe Sali Berishës. Diferenca në këtë rast është e madhe, prandaj ish-deputeti i LSI-së është i fundit që mund t’i hakërrehet Ediola Brahës për zgjedhjen e saj, pavarësisht se ai e katapultoi zonjën nga Tepelena në politikë
©argjiroja.net