Ekipi i Luftëtarit ka marrë një barazim dramatik në ndeshjen e sotme, teksa ka barazuar me rezultatin 2-2 ndaj Laçit në transfertë. Miqtë ishin në avantazh të dy golave, por edhe të një futbollisti më shumë, pas daljes së Fangaj në fillimin e takimit, megjithëse nuk mjaftuan për të dalë me 3 pikë nga kjo fushë.
Në një intervistë për “Supersport”, Lika është shprehur për këtë ndeshje, duke ia vënë fajin aspektit mbrojtës. “Duhet të shënonim golin e dytë më shpejt, pasi kundërshtari nuk u dorëzua. Ne i kishim rastet tona por nuk arritëm t’i shfrytëzonim. Ne duhet të jemi më të qetë dhe të kujdesshëm. Luftëtari është një ekip që shënon shumë, por duhet të jenë sërish më të qetë përpara portës. Por në një ndeshje si kjo, futbollistët ishin shumë të irrituar.
Nuk ishte vetëvrasje por vetëplagosje se jemi akoma në këmbë. Humbja e rasteve na kushtoi shumë në këtë ndeshje, ashtu siç na kushtuan edhe gabimet. Ky është futbolli dhe rastet e kundërshtarit kanë qenë të pakëta sot, nuk kanë qenë të shumëta. Po nuk shënove, sigurisht që do të pësosh. Futbollistët besojnë se mund të fitojnë çdo ndeshje dhe këtë e treguan në fushën e lojës. Ne edhe ndeshjen që e fituam në Durrës, ishim shumë pranë barazimit të rezultatit. Nëse vazhdojmë të luajmë mirë në aspektin mbrojtjes, mund të vazhdohet më tej”, është shprehur Lika.