Nga Ilir Vata – Lejleku, shpendi shtegtar ka nisur popullimin në shumë vise të Shqipërisë, por kësaj radhe është hasur si rrallëherë edhe në Gjirokastër, ku një tufë lejlekësh të rinj kanë nisur fluturimin për t’ju bashkuar tufës në Afrikë. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura vazhdon kujdesin për shpendët shtegtarë, si lejleku.
Një tufë lejlekësh janë shumuar në Gjirokastër në habitat natyror dhe janë monitoruar vazhdimisht nga AKZM.
“Lejlekëve të vegjël iu deshën 66 ditë për fluturimin e parë, tashmë mbeten dhe pak ditë përgatitje për “Fluturimin e Mbijetesës”. Dy muaj pas kujdesit intensiv prindëror dhe provave për fluturim, katër të vegjlit e platformës tonë arritën të bënin fluturimin e parë drejt liqenit të Viroit, i cili është një nga burimet kryesore të ushqimit të Lejlekut në Gjirokastër. Pavarësisht aftësimit të tyre për fluturim, një deri në dy javët e para të vegjlit vazhdojnë të ushqehen nga prindërit, teksa vetë përmirësojnë instinktin e gjuetisë.
Lejlekët e rinj bashkë me tufën nisin shtegtimin e tyre drejt Afrikës në një rrugëtim epik.
Fluturimi për mbijetesë i Lejlekëve tanë është një rrugëtim rreth 30-ditor, ku do të përshkojnë rreziqe si vrasja e paligjshme, përplasja me infrastrukturat e energjisë, mullinjtë e erës, telat dhe shtyllat e energjisë dhe rreziku nga elektroshoku, e gjithë kjo për të arritur në zonat e dimërimit në Afrikë ku do të bashkohen në tufa të mëdha.
Pas dimërimit, ku ato janë përsëri vulnerabël ndaj rreziqeve të sipërpërmendura do të fillojnë përsëri një rrugëtim afërsisht 50-ditor për të mbërritur në Shqipëri ku dashuria e njerëzve nuk u mungon, por ndërkohë strukturat e energjisë nuk janë shumë miqësore ndaj shpendëve.
“Ekipi ynë së bashku me partnerët dhe dashamirësit e tjerë të natyrës do të vazhdojë të kontribuojë në krijimin e një rruge sa më të sigurtë shtegtimi. Duke shpresuar se vitin e ardhshëm, një çift tjetër do të krijojë familjen mbi platformën e dytë të instaluar, që mesa duket të vegjlit e këtij viti po e shijojnë!”, shprehet AKZM.