Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin për restaurim e kroit me bendin në Çetën e Mesme, në fshatin Dhoksat, Gjirokastër.
Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje restauruese në objekt, si dhe rikonceptimin e ambientit përreth monumentit, në shërbim të vizitorëve.
Fshati Dhoksat i njësisë administrative Lunxhëri, pjesë e bashkisë Gjirokastër është përzgjidhur për t’u përfshirë në programin zhvillimor të 100 fshatrave të Shqipërisë për turizëm rural.
Dhoksati konsiderohet fshat “i lavdëruar nga Zoti”, i çmuar për bukuritë, pjellorinë e tokës, frutikulturën, vreshtat, pyjet e kullotat dhe burimet e kristalta.
Fshati Dhoksat është një nga fshatrat më piktoresk të krahinës së Lunxhërisë. Fshati ka në listën e monumenteve edhe disa kulla dhe banesa. Përveç kostumit të rrallë popullor “lunxhe”, ka dhe traditën shekullore të ndërtimit të urave dhe krojeve.