Kush janë hienat që po sulmojnë Luftëtarin?


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Një ditë më parë klubi i Luftëtarit bëri një reagim lidhur me eleminimin e turpshëm nga Europa League, edhe pse shorti e kishte vënë përballë një ekipi që në letër konsiderohej tepër i lehtë për gjirokastritët. Por ajo që bën përshtypje në deklaratën e klubit ishte relativizimi i gjithë asaj çfarë ndodhi në dy ndeshjet e para të Luftëtarit në një kompeticion europian. ‘Sulm nga hienat’ thuhet ndër të tjera në deklaratën zyrtare të klubit. Më pas reagimi për një çështje kaq serioze siç janë dyshimet për pazare me ndeshjet, banalizohet në një muhabet ‘profilesh false në rrjetet sociale’, në një kohë kur shumë prej profileve false që mundohen të forcojnë versionin se këtu s’ka ndodhur asgjë dhe rezultati ishte krejt normal, në fakt kontrollohen nga njerëz pranë klubit.

Të biesh në batakun e ca njerëzve që shkruajnë me adresa të rreme sepse janë të frustruar, do të thotë që të mos jesh serioz si klub në shpjegimin që i ofron publikut. Të flasësh për ‘sulm hienash’, pa përmendur emra se kush janë hienat që po i bien në qafë Luftëtarit, është njësoj si të ndërtosh histori konspirative thjesht për t’i bërë lavazh truri publikut. Kush janë këta njerëz që janë mbledhur në një cep dhe s’kanë punë tjetër veç të sulmojnë Luftëtarin?

Teatri në fushën e lojës, si në ndeshjen e parë dhe sidomos në të dytën, është fare evident. Me sy të lirë kushdo njeri normal që shikon futboll arrin ta kuptoje sjelljen aspak profesioniste të futbollistëve të Luftëtarit. Te goli i fundit në minutën e 93’, që mund ta shihni edhe në videon më poshtë, futbollistët e Gjirokastrës thjesht po bënin sehir. Mediat vendase dhe të huaja, si dhe kompanitë ndërkombëtare që monitorojnë koefiçentët e basteve, hodhën dyshime për trukim të ndeshjeve.

Po kështu edhe presidenti i federatës letoneze e tha troç se futbollistët e Gjirokastrës silleshin çuditshëm në fushën e lojës. Pra, e kemi ‘ujkun’ përpara dhe nuk është nevoja të kërkojmë ‘gjurmët’. Megjithatë një çështje e tillë duhet të hetohet nga organet e futbollit dhe drejtësisë, për të hequr apo provuar çdo dyshim për trukim ndeshjesh.

Ata që rreshtohen kuturu në mbrojtje të pazareve eventuale që klubi i Luftëtarit ka bërë me dy ndeshjet në Europa League, nuk e duan futbollin dhe as ekipin e Gjirokastrës. Kushdo që relativizon trukimin e ndeshjeve si një aktivitet normal, nuk është në anën e futbollit, por bëhet palë me ‘mafian’ e basteve sportive, e cila i ka hedhur rrënjët edhe në Shqipëri. Natyrisht nuk bën përjashtim këtu as Gjirokastra.

© ArgjiroLajm.net