Komisioni që do të vlerësojë aplikantët për Kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të drejtohet nga kreu i SPAK, Arben Kraja, ndërsa dy pjesëtarët e tjerë janë, Ened Nakuçi e Behar Dibra.
Për këtë post, 7 persona kanë shfaqur interes, por vetëm 4 prej tyre kanë dorëzuar deri më tani dokumentacionin. Mësohet se për këtë garë një prej kandidatëve që ka dorëzuar dokumentacionin është kreu i task forcës në Policinë e Shtetit, Artan Shkëmbi. Mësohet se interes ka shfaqur edhe Fatos Dervishi, i cila ka qenë Zv.Prokuror i Përgjithshëm më vitet ’90. Ky i fundit aktualisht jeton në SHBA.
Po kështu interes për të qenë pjesë e BKH-së kanë shfaqur edhe persona të tjerë që jetojnë në SHBA, që kanë punuar më herët në poste të larta drejtuese. Afati i fundit për të aplikuar për drejtuesin e BKH është data 30 janar 2020.
Pak ditë më parë ambasada amerikane në vendin tonë bëri thirrje që Prokurorët punonjësit e Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore, të aplikojnë për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Ajo njoftoi se ka dhënë një fond prej 4 milionë dollarësh, të cilat do të përdoren në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë për zhvillimin e sistemit etik, transparent dhe profesional të drejtësisë. Ambasada amerikane theksoi se Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH),do të veprojë në mënyrë të ngjashme si FBI-ja. Për këtë post, kreu i SPAK Arben Kraja ka deklaruar se duhet një person me integritet dhe se do të trajnohet nga SHBA-ja.