I ftuar në emisionin “Top Talk” të Denis Dyrnjaja, për të folur mbi dorëzimin e Klement Balilit, gazetari i kronikës, Artan Hoxha komentoi edhe lidhjet e “Eskobarit të Ballkanit” me politikën në vend.
Hoxha theksoi se ishte pikërisht përfshirja e Balilit në jetën politike, ajo që e ekspozoi më shumë atë dhe i krijoi probleme, ndërsa shtoi se vendimi për t’u dorëzuar, ka shqetësuar politikanë të shumtë.
“Problemi i tij kryesor është fakti që u përfshi në jetën politike, gjë që e solli në rrethanat ku është sot. Madje dua të theksoj se dorëzimi i tij ka shqetësuar shumë disa njerëz mjaft të rëndësishëm të politikës në vend”, deklaroi Hoxha.
Ai shtoi se Balili është cilësuar si “njeriu i të gjithëve”, pasi është akuzuar se u shërben politikanëve të ndryshëm.
“Aftësia e një bosi jetëgjatë të krimit, është nuhatja e tij për lëvizjet e mëdha politike. për Balilin është aluduar shumë, për ta lidhur me emra të caktuar të politikës, por vetë ai ka mbështetur politikisht ata që kanë qenë në pushtet”, theksoi Hoxha.
Në fshatin e Balilit, si në fermën e Eskobarit
Dy vite kërkime dhe plot 100 milionë lekë shpërblim për informatorin mbi vendndodhjen e Balilit, nuk bënë dot të mundur arrestimin e këtij të fundit, deri në momentin që “Eskobari i Ballkanit” vendosi të vetëdorëzohej.
I ftuar në emisionin “Top Talk”, gazetari i kronikës, Artan Hoxha zbuloi edhe detaje nga mënyra se si Klement Balili u shmangej tentativave për arrest.
Ai zbuloi edhe disa batuta të bëra me “Eskobarin e Ballkanit”, në momentin që e intervistoi pak para se Balili të vetë-dorëzohej në organet e policisë.
“Në fakt na u desh të krijojmë një histori, për të shkuar të intervistonim Balilin dhe gjithçka u bë në mënyrë top sekrete. Balili kamuflohej në mënyrë perfekte, në mënyrë individuale.
Ai mundohej të bënte një jetë të thjeshtë dhe të mos ekspozohej, ndaj ia ka dalë në mënyrë perfekte të jetojë mes nesh, pa rënë në sy të policisë”, tha Hoxha.
Ai shtoi edhe mbështetjen e fortë që Balili gëzonte në komunitetin e fshatit ku jetonte, ku asnjë prej banorëve nuk tentoi të merrte shpërblimin prej 100 milionë lekësh.
“Klement Balili kishte një mbështetje shumë të fortë në komunitetin ku jetonte, në fshatin Stiar, por edhe masa të shumta sigurie, për të shmangur operacionet policore.
Në momentin e intervistës, i thashë se unë mund të njoftoja policinë dhe të fitoja 100 milionët e shpërblimit, por mu përgjigj qetësisht, duke thënë se nuk kisha asnjë shans.
Ai kishte përdorur një pajisje që bllokonte çdo mjet komunikimi, ndërsa edhe për të shkuar në vendin ku strehohej Balili, ishte shumë e vështirë”, tregoi Artan Hoxha.
Kushtet e Balilit për t’u vetëdorëzuar
Artan Hoxha zbuloi për Top Talk edhe kushtet e vendosura para se të shkonte vetë para drejtësisë.
“Në fakt është shumë e rëndësishme që tashmë njëri prej njerëzve më të kërkuar në Shqipëri, është tashmë para drejtësisë, ashtu siç e tha edhe Ambasada amerikane në Tiranë.
Klement Balili u vetë-dorëzua, pasi negocioi dhe mori miratimin për plotësimin e dy kushteve, shënimin në procesverbal se po vetë-dorëzohet dhe garancinë për një proces të drejtë gjyqësor”, tha Hoxha.