Ish-deputeti i Gjirokastrës, Tritan Shehu ka zhvilluar takime me strukturat e PD-së në qark një ditë para protestës së opozitës në Tiranë. Në fotot e publikuara nga vetë ai në Facebook, ndër të tjera bie në sy edhe një detaj që ndoshta Shehut i ka shpëtuar. Kryebashkiaku i Përmetit, Niko Shupuli, shfaqet në një foto sikur po mban në duar një tufë me lekë. Ne ngritëm një supozim se mos ndoshta këto janë para që mund t’u shpërndahen aktivistëve të PD-së për të marrë pjesë nesër në protestën e opozitës.
Dhënia e parave për tubime partiake nuk është një fenomen i ri në Shqipëri. Historikisht partitë politike në tubime të mëdha në kryeqytet, për të mbledhur sa më shumë njerëz në shesh kanë përdorur edhe forma të tilla; joshjen e tyre me lekë. Përjashtim këtu nuk bën as PD-ja dhe normal gjithë partitë e tjera me radhë. Denoncime të tilla për protestues të paguar nga partitë kemi parë shpesh në media, kryesisht në emisionet investigative ‘Fiks Fare’, ‘Stop’ etj.
Pas publikimit që ne i bëmë këtij supozimi, ka reaguar edhe kryebashkiaku i Përmetit, Niko Shupuli. Gjatë një komunikimi me Argjirolajm.net ai thotë se ky supozim i joni është i pavërtetë. Shupuli thotë se mbante në dorë thjesht etiketën e hequr të shishes së ujit dhe se supozimi i ynë për para nuk qëndron. Më poshtë foto që ngjalli debat dhe nxiti dyshime tek ne.
©argjiroja.net