Kryebashkiaku i Sarandës në ‘kurthin’ e tre nënkryetarëve


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Kryebashkiakët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit kanë nisur të bëjnë lëvizjet e para në pozicionet e rëndësishme të administratës, për të përmbushur në këtë mënyrë zotimet e tyre dhe për t’i gjetur punës njerëzit e duhur. Por nga ana tjetër lëvizjet kanë edhe një simbolikë të vetën; për të dëshmuar se ka një vizion të ri, ka një ekip të ri që do të çojë përpara punët në këto bashki.

Por jo në të gjitha bashkitë ka ndodhur kështu, të paktën në këtë muaj të parë nga ardhja e kryebshkiaëve të rinj. Një prej këtyre bashkive është Saranda. Adrian Gurma çuditërisht s’ka ndërtuar ende një ekip të vetin me të cilin do të drejtojë Sarandën, një bashki me problematikë të madhe sidomos gjatë stinës së verës.

Kujtoni këtu vetëm problemin e mbetjeve urbane, të cilin ne e kemi ngritur disa herë si shqetësim. Gurma vijon të punojë me tre nënkryetarë të cilit i gjeti nga koha e paraardhëses së tij, Floriana Koka. Dy prej nënkryetarëve veç postit politik mbajnë edhe funksione të tjera.

Robert Piro është edhe Drejtor i Shërbimeve, Jorgo Mitro është edhe Drejtor i Tatim Taksave. I vetmi pa funksion tjetër është Ramiz Hysi. Por që të tre kanë të përbashkët faktin se e kanë mbyllur një cikël dhe janë ezauruar në ato pozicione. Nëse ata nuk e kanë në plan dorëheqjen, për t’i hapur rrugë të rinjve, Adrian Gurma thjesht duhet t’i shkarkojë nga ato pozicione.

Një prej nënkryetarëve, Jorgo Mitro, ka dalë edhe në pension, por për habi të të gjithëve vijon të mbajë pozicionin. Të kuptohemi, nuk jemi duke thënë se këta njerëz duhen lënë pa punë apo duhen linçuar si e keqja e madhe e Bashkisë Sarandë, por s’ka kuptim që kryebashkiaku i ri të mbajë tre nënkryetarë që janë në ato pozicione si pjesë e ndarjes së ‘tepsisë’ nga Floriana Koka e Koço Kokëdhima 4 vite më parë apo thjesht sepse janë socialistë.

Saranda ka plot të rinj e të reja që mund t’u delegohet besim dhe të promovohen në funksione të tilla. Në Gjirokastër fjala vjen, ka një shembull pozitiv. Nënkryetarët e mëparshëm nuk janë më; njëri dha dorëheqjen, tjetri u shkarkua. Ndërkohë iu hap dera një vajze të re gjirokastrite që ka kryer studimet në Qipro. Saranda ka nevojë për shembuj të tillë, ka nevojë për një ‘shkundje’ që sjell ndryshim.

Pse duhet të kthehet në Sarandë një i ri i diplomuar në Tiranë apo gjetkë, kur shikon se në insitucionin më të rëndësishëm të qytetit të vet, janë po të njëjtët njerëz derisa dalin në pension. Madje edhe kur dalin në pension vijojnë të mbajnë ‘zaptuar’ funksionet publike. Nuk po themi që të largohet nga puna një ekspert finance, një inxhinier apo një profesionist tjetër shumë i mirë pavarësisht viteve që ka në Bashki, por nënkryetari që është post politik natyrisht që duhet të ndryshohet. Sigurisht që ndryshimi nuk është vetëm cështje emrash, por vizioni dhe vendosmërie për t’i shtyrë gjërat përpara. Megjithatë ka momente kur e reja vjen edhe përmes ndryshimit të emrave.

Adrian Gurma s’e bën dot ndryshimin duke mbajtur rreth vetes të njëjtët njerëz që shumë apo pak kanë mbi supe plot nga kusuret e Floriana Kokës. Eshtë normale, edhe uji i pastër nëse qëndron për një kohë të gjatë në një vend do të qelbet erë.  Adrian Gurma duhet të hapë Bashkinë Sarandë dhe kabinetin e tij për profesionistët e rinj, të afrojë djem e vajza që edhe pse s’kanë mbiemër të madh apo fundja nuk u plas fare për PS-në, kanë dëshirë të punojnë për atë qytet. Saranda s’mund të mbahet më peng i pazareve të vogla lokale apo qokave brenda e jashtë partisë.

Nëse Gurma nuk del mbi këto pazare dhe nuk ndërton dot ekip të vetin, ka për të dështuar me sukses. Saranda ka potenciale të jashtëzakonshme turistike dhe duhet promovuar akoma më shumë, sidomos në nivel ndërkombëtar. Kush më mirë sesa një nënkryetar i dedikuar plotësisht në këtë drejtim mund ta bënte këtë.

Një nënkryetar që merret vetëm me çështje të turizmit, që përfshin Sarandën në panaire ndërkombëtare, që sjell projekte të ndryshme, që i bën PR qytetit jashtë Shqipërisë etj. E sigurt është që të gjitha këto nuk i bëjnë dot tre nënkryetarët aktualë dhe kushdo tjetër që e ka mbyllur ciklin profesional në atë institucion.

Sfida reale e Adrian Gurmës është të sjell ‘gjak të ri’ në Bashkinë Sarandë dhe bashkë me ta të ‘përvesh mëngët’. Çdo vonesë në këtë drejtim të krijon përshtypjen se ai, mjeku që la profesionin për t’u bërë kryebashkiak, thjesht ka për të qenë një Déjà vu e Floriana Kokës. Koha do të tregojë!

©argjirolajm.net