Kriza te Luftëtari, Tavo e pranon që s’ka lekë: U kam dhënë një pagë deri tani. Lojtarët më dhanë fjalën se do bëjnë durim

Grigor Tavo konfirmon ngërçin me rrogat, megjithatë qetëson ekipin dhe tifozët se situata po shkon drejt zgjidhjes. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, presidenti i Luftëtarit ka folur për të paren herë për situatën e krijuar në tre muajt e fundit, për të cilën foli hapur edhe vetë trajneri Gentian Mezani pas ndeshjes së barazuar në Vlorë.

“Çfarë po ndodh me financat te Luftëtari? Pyetja juaj është me vend. Është e vërtetë që lojtarët, por kjo ndodh në çdo ekip. Ju siguroj se një pagë mujore është kaluar në llogarinë bankare të gjithsecilit dhe brenda këtyre ditëve te Luftëtari nuk do diskutohet më për pagat”, kështu u shpreh fillimisht për këtë çështje numri një i bluzinjve. Ai më tej ka qartësuar se ka folur edhe me lojtarët për t’u shpjeguar arsyen e vonesës, të cilët duket se i kanë dhënë fjalën se do të tregohen të durueshëm.

“Nëse s’do kisha folur me lojtarët për situatën financiare, atëherë nuk do të kishte interes edhe intervista me ju. Jam i bindur se lojtarët e kanë durimin dhe besueshmërinë se gjithçka do shkojë gjithnjë e për më mirë”, theksoi Tavo.

BARAZIMI – Pika e marrë në transfertë me Flamurtarin e ka gëzuar, ndaj nuk ngurron që të përgëzojë lojtarët dhe stafin. “Jo vetëm unë, por të gjithë jemi të kënaqur me barazimin dhe për më tepër për lojën e shfaqur. Për këtë dua të falënderoj të gjithë djemtë dhe stafin teknik me Mezanin në krye. Edhe pse me probleme të vogla financiare, treguan në fushë karakterin e tyre dhe i vlerësoj për përkushtimin dhe seriozitetin maksimal”, tha presidenti.

KTHESA – Sezonin e kaluar Luftëtari ishte “hirushja” e kampionatit, por këtë vit duken larg surprizave. Megjithatë, Grigor Tavo beson se situata do të përmbyset për mirë dhe gjithçka do i kthehet normalitetit në pak javë. “Vjet ishim konfirmim dhe jo surprizë. Sivjet shumë shpejt do bëjmë që ju gazetarët të flisni vetëm për Luftëtarin dhe futbollin e tij”, tha ndër të tjera numri një i bluzinjve, duke theksuar se skuadra e tij jo vetëm do t’i largohet fundit të tabelës, por do bëjë kthesën e madhe duke befasuar gjithkënd.

TIRANA – Ndeshja e radhës luhet me Tiranën dhe praktikisht mund të konsiderohet si një përballje me një rival direkt. Nëse me vlonjatët u mjaftua me barazimin, ndaj kryeqytetasve do vetëm fitoren. “Me Tiranën objektivi është i qartë, vetëm rezultati pozitiv. Fitorja është e domosdoshme për vetë ecurinë e suksesshme që ne të gjithë presim. Tirana është ‘emblema’ e futbollit shqiptarë pasi ka shumë trofe, por dhe ne kemi synimet tona për të ardhmen, ndaj dhe duhet ta fitojmë me doemos këtë takim”, përfundoi Vangjel Tavo.