Luftëtari pësoi dje një humbe të rëndë në shtëpi, duke u poshtëruar nga Kastrioti me rezultatin 1-5. Me këtë humbje, bluzinjtë e ndjejnë tashmë veten të kërcënuar duke qenë se rënia nga Kategoria duket më afër se kurrë. Me mungesa të shumta në formacion, Oltion Rapa ishte kapiten i bluzinjve.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Rapa ka kërkuar publikisht falje për atë humbje të pësuar ndaj krutanëve dhe bën një premtim se Luftëtari do të rikthehet aty ku ka vendin. Bie në sy fakti se pavarësisht humbjes, tifozeria gjirokastrite ka shprehur mbështetje për futbollistin dhe humbjen ia faturojnë personave të tjerë.
“Më vjen keq sinqerisht që erdhën gjërat në këtë situatë.
Në radhë të parë doja t’i kërkoja ndjesë të gjithë tifozëve dhe dashamirësve të Luftëtarit për këtë humbje turpëruese që nuk ka justifikime. Te Luftëtari u formova dhe u rrita si njeri dhe sportist gjithë këto vite të paharrueshme në jetën time me disfata dhe suksese ndaj e ndjej që kam më shume përgjegjësi se kushdo, t’i kërkoj ndjesë gjithë opinionit sportiv gjirokastrit. E ndjej detyrim dyfish çdo tifozi, dashamirësi nga më i vogli te më i madhi t’i premtoj se nga unë i pari dhe gjithë shokët e ekipit të japim gjithçka që Luftëtari të kthehet aty ku i ka hije . Përzemërsisht Olti Rapa”, shkruante Rapa.