Menaxheri Elton Marini, i cili përfaqëson mesfushorin e Luftëtarit, Eduart Rroca, ka bërë një tablo të situatës së futbollistit i cili është diskutuar shpesh si një emër që i intereson klubeve të ndryshme në Superiore, aq më shumë tani që Luftëtari është në krizë financiare. Në studion e “Fair Play”, ai ka treguar se për momentin nuk ka asnjë gjë konkrete rreth largimit të futbollistit në janar.
“Dua të përgënjeshtroj kontaktet me klube të tjera. Ka kontakte fillestare klub më klub, interesim, por ai është nën kontratë me Luftëtarin. Ai nuk ka bërë kërkesë të largohet. Ai thjesht ka bërë një njoftim për klubin që i ka kaluar afati maksimal i pagesave të prapambetura.
A do iki dhe ku? Kësaj pyetje duhet t’i përgjigjet lojtari se ai vendos. Menaxheri mungohet të negocioje sa më mirë kontratën dhe të tregojë planin e zhvillimit qe kanë.
Unë mendoj që Luftëtari ka bërë sforco të madhe për t’i konfirmuar edhe këtë vit këto lojtarë. Por kur ezaurohet një cikël, kur lojtari e sheh, ndjehet më i uritur për të çuar karrierrën në etapë tjetër”, tha ai.