Përfundon takimi i kryedemokratit Lulzim Basha me Presidentin e Republikës Ilir Meta. Kryedemokrati Lulzim Basha ka pranuar ftesën e kreut të shtetit Ilir Meta për t’u takuar në Presidencë. Ashtu siç ishte parashikuar, ai ka mbërritur në orën 09:00 për të zhvilluar një takim me dyer të mbyllura me presidentin Ilir Meta.
Takimi ka zgjatur rreth 20 minuta. Kreu demokrat shmangu komentet për mediat, por mësohet se Basha dhe Meta kanë diskutuar rreth aktualitetit dhe krizës politike në vend, ku në qendër është dhe data 30 qershor, dita kur priten të zhvillohen zgjedhjet lokale në Republikën e Shqipërisë.
Mbrëmjen e djeshme presidenti Meta ftoi në takim edhe kryeministrin Edi Rama, por ky i fundit e refuzoi ftesën, duke deklaruar se është i zënë me fushatën zgjedhore. Presidenti ka deklaruar se nuk do të pranojë mbajtjen e zgjedhjeve me 30 qershor.
Të njëjtat burime nga Presidenca bëjnë me dije se Meta ka në tavolinën e punës disa opsione për të pamundësuar këtë. Pas orës 13 mund të presim vendime të rëndësishme nga Presidenti për 30 qershorin, ku nuk përjashtohet edhe dekretimi i datës së re të zgjedhjeve vendore brenda ditës së sotme.