Pas shkarkimit nga posti i kryeinspektorit të Mjedisit dhe Pyjeve në Gjirokastër, Kristaq Thimio ka nisur ‘hakmarrjen’ ndaj deputetit të LSI-së Vangjel Tavo. Mbrëmë emisioni ‘Fiks Fare’ ka denoncuar lejen për një gurore që Bashkia Dropull ka dhënë për shtetasit Vangjel Liçi dhe Grigor Tavo. Ky i fundit është vëllai i deputetit Vangjel Tavo. Leja është dhënë për nxjerrjen e 100 m3 gur të kuq në zonën e quajtur Mushaja dhe në Derviçan. Por pavarësisht lejes, në dukje për sasi të vogël, dëmi mjedisor i shkaktuar është shumë herë më i madh. Pamjet e transmetuara në ‘Fiks Fare’ janë të disa muajve më parë, kur Thimio ishte ende në krye të Inspektoriatit të Mjedisit dhe Pyjeve.
Fakti që transmetohen tani pasi Thimio u shkarkua të lë të kuptosh është deri diku një lloj ‘hakmarrje’ e tij ndaj Vangjel Tavos, i cili e ka sulmuar Thimion përmes emisionit ‘Stop’. Skandalet e denoncuara nga ‘Stop’ u bënë shkak që Thimio të shkarkohej para dy javësh. Që është një lloj ‘hakmarrje’ ndaj Tavos, e përforcon edhe fakti se Thimio flet pikërisht tani që u shkarkua nga detyra. Deri në momentin që ai vazhdonte të ishte në krye të inspektoriatit, rasti nuk ishte bërë publik, të paktën nga vetë goja e Thimios. Në mos për ‘Fiks Fare’, të paktën në media të tjera. Pavarësisht këtij detaji, krimi mjedisor i shkaktuar me lejen e Bashkisë Dropull është evident dhe nuk mund të mohohet.
Vangjel Liçi dhe Grigor Tavo janë nën hetim nga Prokuroria e Gjirokastrës dhe pritet vetëm përgjigjia e Inspektoriatit për të vlerësuar dëmin e shkaktuar, i cili pretendohet të jetë tek 4 hektarë. Të dy individët, siç ka rezultuar nga verifikimet e bëra, nuk kanë leje shfrytëzimi as nga AKBN dhe as nga Ministria e Mjedisit. Sipas ISHPM-së, ndaj këtyre personave është marrë edhe masa administrative me gjobë nga 5 milionë lekë secili. Shihni në videon më poshtë denoncimin e plotë të ‘Fiks Fare’, ku ndër të tjera bën përshtypje edhe reagimi skandaloz i kryetarit Arhilea Deçka dhe nënkryetarit Mihal Mano./©ArgjiroLajm.net