Dhionisios Alfred Beleri i kërkon Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të zbardhë sa më parë vendimin e datës 17 maj, përmes të cilit i refuzoi kandidimin si i pavarur në zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Duke e cilësuar një vendim krejtësisht të paligjshëm, Beleri thotë se KQZ qëllimisht po e zvarrit zbardhjen e vendimit.
“Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në datën 17 .05.2019 ka publikuar vendimin për refuzimin e kandidaturës time për kryetar të Bashkisë Himarë duke iu referuar Ligjit 138 /2016 Për Garantimin e Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen dhe Ushtrojnë Funksione Publike .
Deklaroj se ky vendim është absolutisht në kundërshtim me frymën e ligjit dhe haptazi i njëanshëm përderisa KQZ edhe sot nuk e ka zbardhur akoma këtë vendim dhe nuk ma ka dhënë për njohje të firmosur nga të gjithë anëtarët e KQZ sikundër parashikon Kodi Zgjedhor në fuqi.
Vonesa e qëllimshme në zbardhjen e vendimit dukshëm është një mënyrë për të më mohuar mua të drejtën kushtetuese të ankimimit në Kolegjin Zgjedhor të Shqipërisë dhe nga ana tjetër është një mënyrë që media të caktuara të abuzojnë lidhur me lajmin duke publikuar të dhëna të pa vërteta ose fakte të shtrembëruara lidhur me figurën time dhe kandidimin për Kryetar Bashkie në Himarë.
Refuzimi nga KQZ i kandidaturës time prish procesin e votimit në Bashkinë Himarë dhe cënon rëndë standartet zgjedhore duke i dhënë mundësinë kandidatit te PS të garojë i vetëm dhe pa kundërshtarë. I bëj thirrje KQZ të më japë të zbardhur vendimin konform Kodit Zgjedhor dhe të heqë dorë nga pazaret politike në dëm të zgjedhësve himarjotë”.
Beleri ishte regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet për Bashkinë e Himarës, por pas verfikimeve të kryera në formularin e vetëdekriminalizimit, KQZ ka marrë vendimin për ta refuzuar kërkesën e tij. Shkak për këtë vendim është bërë një vendim gjyqësor i formës së prerë i dhënë ndaj tij vite më parë.
Dy muaj më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda rihapi hetimet për masakrën e Peshkëpisë ku mbetën të vrarë dy ushtarakët shqiptarë, Fatmir Shehu dhe Arsen Gjini, të cilët u sulmuan nga një bandë e armatosur greke në mesnatën e 10 Prillit të vitit 1994.
Në këtë çështje sipas prokurorisë person nën hetim është edhe Fredi Beleri.