Në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit, Bashkia Gjirokastër ka pezulluar pa afat transportin publik qytetas dhe ndërqytetas në të gjithë territorin e saj. Urdhëri është firmosur nga kryebashkiaku Flamur Golemi. Pezullimi i transportit me urban do të jetë në fuqi për një afat të pacaktuar, në mënyrë që të kufizojë lëvizjen e njerëzve. Deri më tani në rang vendi janë 23 persona të infektuar me Covid-19. Në Gjirokastër u dyshua një rast ditën e djeshme, por analizat dolën negative. Ndërkohë po dje shumë lokale në qytet mbyllën përkohësisht aktivitetin.
©argjiroja.net