Nga Brikena Metaj
Kryenin prej 20 vitesh shërbimin e transportit urban, tenderin e fiton kompania nga Vora. Punonjësit e katër operatorëve të shërbimit të transportit për linjën Gjirokastër-Dropull kanë dalë në protestë për pezullimin e licencës dhe kalimin e këtij shërbimi për një kompani me qendër të Vorë.
Me vendim të Ministrisë së Transporteve, firma “Green Bus Travel” ka marrë të drejtën për të kryer transportin e udhëtarëve në linjën Dropull-Gjirokastër. Kjo linjë mbulohej nga dy subjekte të tjera vendase që operonin me licenca në territorin e Bashkisë Dropull dhe dy subjekte në Bashkinë Gjirokastër. Ndërsa sot gjenden para pezullimit të aktivitetit të tyre mbi 20- vjeçar, operatorët e linjës Gjirokastër-Dropull dhe anasjelltas, shprehen se askush nuk u ka kërkuar të bëhen pjesë e një tenderi apo procedurë licencimi edhe pse licenca aktuale e tyre nuk u ka skaduar ende.
“Ministria ka dhënë një licencë për një firmë me qendër në Vorë, ndërkohë që ne as nuk jemi lajmëruar për zhvillimin e procedurave të këtij licencimi. Kemi shkruar edhe në portalin e qeverisë dhe i kërkojmë Kryeministrit rishikimin e licencave”, thotë Sejat Bihuci. “Askush nuk na ka vënë në dijeni se licencat, të cilat për 20 vjet i kemi marrë nga Bashkia Dropull dhe Gjirokastër tani do jepeshin nga Ministria pas zhvillimit të një tenderi, për të cilin nuk kemi qenë në dijeni, ndërkohë që jemi ne të parët që duhet të merrnim pjesë në këtë tender”, shton Baftjar Lazaj, licenca e të cilit përfundon në mars 2022.
Ata ngrejnë pretendime se ky tender është korruptiv, ndërsa paralajmërojnë se situata do të përkeqësohet, pasi asnjë prej tyre nuk e pranon këtë vendim. “Të vënë dorë sa pa u vrarë njerëz, pasi ky është një problem shumë i madh dhe më pas askush nuk do të mbajë përgjegjësi për atë që do të ndodhë. Do t’i themi burgut ‘hapu’. Është buka e fëmijëve, kemi 20 vjet që e mbajmë punën me gjak, asnjë taksë të papaguar.
Po këtu ka të tjera gjëra, janë deputetë të Parlamentit që fshihen pas kësaj”, pohojnë shoferët. Ata tregojnë se gabimi është pranuar edhe nga drejtori i përgjithshëm i Transporteve, Arben Dhimo, gjatë një takimi të zhvilluar me këta operatorë, por pavarësisht ankesave të shumta, ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje./Panorama