Analisti Fatos Lubonja nuk e përjashton ndërhyrjen ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Java që sapo ka nisur do jetë vendimtare si për opozitën ashtu edhe mazhorancën. I ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, Lubonja komentoi edhe letrat e njëpasnjëshme të kryeministrit Edi Rama për liderin e opozitës Lulzim Basha. Sipas tij, Rama nuk e fton Bashën për të zgjidhur krizën, por për ta ngatërruar edhe më shumë situatën. Ftesa e Ramës tha Lubonja është si dialogu i ujkut me delen.
Por si e sheh analisti këtë javë, a do të jetë ajo vendimtare për të nisur dialogu mes qeverisë dhe opozitës? Lubonja thotë se është ende e panjohur se deri në çfarë pikë do të ndërhyjnë ndërkombëtarët për të zgjidhur krizën.
“Nuk duhet të harrojmë se me mbarimin e zgjedhjeve në Europë që morën rrjedhë jo shumë në favor të atyre që mbështesin hyrjen e shpejtë të Shqipërisë në BE, në këtë rast duhet marrë si e panjohur se deri ku do ndërhyjnë ndërkombëtarët për të zgjidhur krizën. Këtu ka një luftë nervash dhe një luftë blofesh por kartat më të forta edhe në këtë poker i ka ai që ka pushtetin, Edi Rama. Ky i fundit i do zgjedhjet me opozitën, për shkak të imazhit. E do delen të ulet aty dhe ta hajë. Më mirë nuk duhet hyrë në këto zgjedhje. Të vazhdohet me denoncimet”– shprehet Fatos Lubonja.