‘Kërcënon’ Tërmet Peçi: E çojmë çështjen deri në Strasburg, nuk lejojmë HEC në Nivicë

Në luginën Bënçë-Kurvelesh të Tepelenës, katër shoqëri koncesionare kanë fituar të drejtën të ndërtojnë 8 HEC-e. Në tre HEC-e janë kryer disa punime, ndërsa në disa të tjera nuk është hedhur asnjë lopatë dhe. Bashkia e Tepelenës kundërshton ngritjen e tyre, pasi pretendon se lejet koncesionare janë dhënë në zona të mbrojtura me ligj, si kanionet e Nivicës dhe të Progonatit dhe se ndërtimi i tyre vetëm do të dëmtonte vlerat turistike, historike, monumentale dhe biodiversitetin e kësaj krahine. Top Channel shkoi në fshatin Nivicë të njësisë administrative Kurvelesh, 30 kilometër larg Tepelenës. Në sheshin kryesor të fshatit, që ndodhet 750 metra mbi nivelin e detit dhe rrëzë malit të Këndrevicës 2100 metra të lartë po restaurohen të gjitha ndërtesat.

Nivica që në latinisht do të thotë dëborë, është përfshirë në listën e 100 fshatrave që kanë përfituar fonde nga qeveria për t’u kthyer në destinacion turistik me rreth 600 milionë lekë të vjetra. Kalaja e Nivicës, 2400 vjeçare dhe banesa e Myfit Kaçubajt janë të dyja monument kulture. Më tej, vijnë kanionet e Nivicës. Ujëvara me lartësi 220 metra është ndër më të lartat në Europë, në krah ujëvara e Gusmarit. Atraksione këto që kanë tërhequr rreth 1500 vizitorë gjatë dy viteve të fundit. Bashkia e Tepelenës kërkon t’i mbrojë nga qeveria, e cila po i kthen ujëvarat në beton. Kompania koncesionare që do të ndërtojë HEC-in “Driza 1” mbi ujërat e Nivicës e ka hedhur në gjyq bashkinë.

Kryetari i bashkisë Tërmet Peçi refuzon dhënien në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore për ndërtimin e kësaj vepre. Kompania “Kendervica Energy” në qershor të 2017 fitoi gjyqin e megjithatë sërish nuk po lejohet të punojë nga bashkia.

“Nuk jemi absolutisht kundër investimeve, por duke parë këtë bukuri që e ka falur nëna natyrë e shohim të arsyeshme që t’i japim prioritet turizmit. Këtu nuk është zhvilluar asnjë dëgjesë, nuk është zbatuar konventa e “Arhausit”. Mbi të gjitha, këtu ka një VKM të 2002 me një listë ku përfshihen shumë monumente të natyrës, së bashku me kanionet e Nivicës. Ne nuk kemi asgjë me shoqërinë aksionere. Ka një shkelje dhe një VKM të 2002, prandaj ne e kemi ankimuar, kjo do të shkojë deri në gjykatë të lartë dhe deri në Strasburg”, shprehet Tërmet Peçi.

Situata ndërlikohet nëse kemi parasysh faktin që ministritë e Mjedisit, Turizmit, Energjisë dhe Kulturës kanë dhënë miratimin e HEC-it, duke thënë se nuk dëmton vlerat e krahinës dhe nuk përfshihet në listën e zonave që kanë përparësi në zhvillimin e turizmit.

“Drini 2000”, një kompani që ka marrë dy HEC-e ka ndërhyrë, duke shkatërruar turizmin. Flasim për turizëm vendas dhe të huaj. Turistët nuk mund të vijnë të shohin si kalon rruga e tubacionit. Ne mendojmë që të gjithë luginën e Bënçës dhe të gjithë malësinë e Kurveleshit ta kalojmë në park të mbrojtur rajonal. E kemi bërë studimin për këtë. HEC ër të përfituar një pakicë apo promovim të turizmit malor të qëndrueshëm duke e lidhur dhe me bregun e detit si asnjëherë për të gjithë këtë komunitet, apo të përfitojnë 5 persona”, Peçi.

Kanionet e Nivicës janë vija ndarëse ndërmjet dy politikave që bien ndesh me njëra tjetrën. Deri në buzë të kanioneve vepron projekti “Rilindja rurale”. Turistët prej aty do të shohin tubacionet e HEC-eve. Duke pasur parasysh çështjen e HEC-eve të Osumit, të Vjosës, Valbonës dhe të Nivicës, ku nevoja për energji bie në konflikt me natyrën çështja shtrohen, cilën anë do të mbajë shoqëria dhe qeveria, që duhet të mbrojë interesin publik, por edhe të nxisë interesin privat. Tërmet Peçi deri tani është në anën e natyrës, por me siguri edhe vendimi i tij do të jetë përballë presionit të biznesit dhe të gjykatës, e cila bashkërisht me qeverinë kanë mbajtur anën e betonit kundër natyrës. Turizëm apo hidrocentrale? Kjo është dilema mbi të cilën sot po zhvillohet një betejë mes bashkisë së Tepelenës dhe katër kompanive koncesionare, të cilat kanë fituar të drejtën për të ngritur 8 hidrocentrale përgjatë luginës Bëçë-Kurvelesh. Se cila nga këto të dyja, turizmi apo hidrocentralet do të marrë prioritet, kjo mbetet për t’u parë…/TCH/

Leave a Reply

Your email address will not be published.