Komisioni i Disiplinës në FSHF nuk është kursyer ndaj Partizanit dhe Tiranës pas derbit të luajtur këtë fundjavë, edhe pse tifozeria dhuroi spektakël në tribuna nga të dy krahët, nuk munguan as sjelljet e palejuara si fyerjet apo ndezjet e fishekzjarrëve.
Për këtë arsye, të dy klubet janë ndëshkuar me gjoba të rënda e njëkohësisht, janë urdhëruar që të paguajnë dëmet që tifozët e tyre kanë bërë në stadiumin e ri,.
Ndërkohë, një goditje të rëndë ka marrë skuadra e Luftëtarit, pasi Neritan Novi, trajneri i emergjencës i emëruar pas shkarkimit të Jorgos Marantas, është pezulluar për dy ndeshjet e ardhshme e kështu nuk mund të jetë në pankinë gjatë sfidave.
VENDIMET
1. KF “Partizani” për sjellje të gabuar të spektatorëve në bazë të Nenit 65/1;65/3/a dhe 65/4/a të KDS dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) Lekë.
KF “Partizani” detyrohet të dëmshpërblejë dëmtimet e shkaktuara në “AIR ALBANIA STADIUM” nga tifozeria përkatëse sipas akt konstatimit të “Qendrës Sportive Kuq e Zi”.
2. KF “Tirana” për sjellje të gabuar të spektatorëve në bazë të Nenit 65/2;65/3/a dhe 65/4/a të KDS dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) Lekë.
KF “Tirana” detyrohet të dëmshpërbleje dëmtimet e shkaktuara në “AIR ALBANIA STADIUM” nga tifozeria përkatëse sipas akt konstatimit të “Qendrës Sportive Kuq e Zi”.
3. Zyrtari i KS Luftëtari Neritan Novi për sjellje të keqe ndaj zyrtarit të ndeshjes në bazë të Nenit 55/2 te KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
4. Çeljen e hetimit disiplinor për incidentet në ndeshjen Shkumbini – Dinamo.