Katër mungesa në Gjirokastër, Ndreu ridizenjon formacionin e Kamzës

Kamza, të enjten, do të ketë një sfidë të vështirë në transfertën gjirokastrite, atë me Luftëtarin e pamposhtur në shtëpi. Ekipi do të kërkojë padyshim një fitore, pasi vetëm kështu mund t’i konsolidojë pozitat në renditje. Në kampin kamzali, përballja me gjirokastritët shihet e vështirë, por jo e pakalueshme, ndonëse mungesat janë të pranishme. 

Trajneri Ramadan Ndreu, në fakt, është bërë me “dhimbje koke”, pasi nuk do të ketë 4 titullarë. Kapitenin sulmues Sebino Plaku, dy mesfushorët Xhuljo Mehmeti e Argent Mustafa dhe mbrojtësin Taulant Kuqi. Gjithsesi, krutani i Kamzës, po e përgatit skuadrën për një rezultat pozitiv, ku pret dhe mbështetjen e zjarrtë të tifozërisë, ku mendohet që të vihen në dispozicion dhe autobusë falas nga ana e Bashkisë.

Në mungesë të kapitenit, tekniku ka gati Rezin dhe Peposhin, të cilët janë në balotazh për të siguruar sulmin në sfidën me bluzinjtë e Luftëtarit. Sa i përket mungesës së kapitenit Plaku, tekniku pritet t’ia besojë shiritin portierit Argent Halilaj. Ndërsa Mehmeti përbën një problem më vete për Kamzën dhe trajnerin Ndreu, duke qenë se është një pikat kyçe në mesfushë, megjithatë masat janë marrë që më parë.

Në këtë repart kamzalinjtë kanë disa lojtarë me kualitetin e duhur, një prej të cilëve është padyshim Mumajesi, apo shqiptaro maqedonasi Imeri. Duke qenë se ndeshja do të luhet të enjten e ardhshme, tekniku Ndreu shpreson që disa prej të këtyre të dëmtuarve të rikuperohen, ku më afër rikuperimit mund të jetë Kuqi, ndërsa 3 të tjerët nuk mund të jenë të gatshëm pasi koha në dispozicion është e shkurtër duke parë dëmtimin e rëndë të tyre./panorama

Leave a Reply

Your email address will not be published.