Grupi i tifozëve ‘Shqiponjat Bluzi’ të Luftëtarit i kishin bërë sot një letër të hapur kryebashkiakut të ardhshëm të Gjirokastrës, Flamur Golemi, ku i kërkonin ndërhyrjen për të shpëtuar klubin. Kërkesa e tyre është legjitime dhe plotësisht e mirëkuptueshme, aq më tepër kur Luftëtari rrezikon të mos regjistrohet në Superiore për shkak të borxheve mal që ka lënë Gole Tavo, presidenti i dorëhequr.
Deri më tani s’ka asnjë reagim publik nga Flamur Golemi. Nuk dihet cfarë ai do të bëjë javën e ardhshme pasi të ketë marrë detyrën. Por kurrsesi nuk do të ishte veprim i drejtë që Golemi të pranonte të merrte pas klubin pa u bërë më parë një auditim i financave të tij. Auditim për cdo qindarkë të Bashkisë Gjirokastër që i është dhënë Gole Tavos, shlyrje e borxheve dhe më pas ulje në tavolinë për të gjetur formën e re të vazhdimit të operimit të klubit.
Kjo histori është fund e krye një piramidë financiare dhe duhet audituar nga ekspertë të pavarur vendas dhe pse jo të huaj. Taksapaguesit gjirokastritë meritojnë të dinë se ku kanë shkuar paratë që Zamira Rami i ka dhënë Gole Tavos në tre vite. Flamur Golemi nuk mund të marrë përsipër të mbulojë këtë histori pa u bërë më parë një transparencë dhe pa dalë përgjegjësitë, nëse ka të tilla. Cdo përpjekje për ta fashitur këtë histori sikur s’ka ndodhur asgjë, është po aq e rëndë sa mali me borxhe që la Gole Tavo dhe gremina ku e hodhi klubin e Luftëtarit.
©argjiroja.net