Nga Flamur Golemi
Kam pritur zyrtarizimin në KQZ të emrit tim si kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë Gjirokastër, për të bërë këtë reagim të parë të këtij rrugëtimi të ri që do të nisim së bashku dhe që unë jam i bindur se do t’ia dalim mbanë ashtu siç bëmë dy vjet më parë. Ja tek jemi sërish për të shkruar një tjetër histori suksesi për Gjirokastrën, për t’i dhënë qytetit dhe fshatrave të kësaj bashkie vëmendjen e munguar.
Unë mezi pres të nis detyrën e re dhe të jem në shërbimin tuaj si kryebashkiak më shumë sesa kam qenë si deputet këto dy vite, mezi pres të punojmë së bashku dhe të bëj më të mirën për secilin nga ju. Fillimisht falenderoj të gjithë anëtarët e Asamblesë së PS-së në Gjirokastër që propozuan emrin tim si kandidat për kryetar bashkie.
Falenderoj kolegët Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro për suportin e çmueshëm që më kanë dhënë, prej ditës së parë kur u bëmë bashkë në ekipin fantastik të Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2017 e deri më sot kur unë nis një tjetër sfidë akoma më shumë domethënëse. Mirënjohje gjithashtu për Kryeministrin Rama, pa besimin e të cilit nuk do të isha zgjedhur përfaqësuesi juaj në Kuvend dhe as do të isha këtu sot për të kërkuar një tjetër mandat besimi në emër të Gjirokastrës dhe për Gjirokastrën.
Ajo që duhet të bëjmë deri më 30 qershor është të bashkojmë zemrat dhe mendjet e të gjithëve, për t’i dhënë Gjirokastrës kohën e humbur; për t’i kthyer vëmendjen e munguar nga pushteti lokal; për të nisur së bashku një transformim në çdo hapësirë urbane dhe rurale; për të hapur kantiere të reja investimesh dhe për të vënë në zbatim projekte që krijojnë një perspektivë të re. Unë mbetem një optimist i pandreqshëm. Besoj gjithmonë, se edhe ajo që në dukje është e pamundur, në fakt bëhet realitet nëse punon me dashuri e përkushtim.
Unë dua të punoj për Gjirokastrën dhe të le gjurmë në këtë qytet të përbotshëm, të rrethuar nga fshatra me histori e njerëz të mrekullueshëm. Ditë pas dite do të mbërrij tek secili prej jush, jo thjesht për t’ju shtrënguar dorën, por për të folur sy më sy dhe për të lidhur së bashku një kontratë të re besimi. Faleminderit për mbështetjen!