Nuk kanë munguar urimet për “Kalaja e Gjirokastrës”, libri-guidë fotografike dhe autorin e saj Sedat Braja. Një ndër më të veçantat ishte ajo e gazetarit, analistit të njohur si dhe autorit të disa vëllimeve me poezi, Aleksandër Çipa. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Çipa ka uruar autorin, si dhe ka theksuar veçantitë e librit, duke thënë se Gjirokastra ka shumë guida fotografish dhe librash, por ky realizim i ka të dyja, guidën e fjalëve dhe imazheve. Kryetari i Unionit të Gazetarëve i kushton lëvdata autorit Sedat Braja, duke thënë se gazetari i njohur i shtypit të shkruar në Shqipërinë e viteve 80’ “sjell një gjurmë të re në karrierën dhe bibliografinë e vet gazetareske si dhe në përvojën e gazëtarisë shqiptare.” Më poshtë postimi i plotë:
“Kalaja e Gjirokastrës” është libri-guidë fotografike me shënime të posaçme fakt-sjellëse që autori Sedat Braja ia kushton vendlindjes së vet.
Gazetari Sedat Braja, një ndër më të njohurit në shtypin e shkruar të Shqipërisë së viteve ‘80-të, sjell një gjurmë të re në karrierën dhe bibliografinë e vet gazetareske si dhe në përvojën e gazëtarisë shqiptare. Vetëm një dunavatas si Sedati mund të shtojë fakte dhe të sfidojë përmes fjalës, imazhet fotografike, duke shënuar rastin e një botimi ku fjala vlen sa dhjetë fotografi dhe ku fotografia realisht vlen pse jo, dhjetë fjalë për një subjekt që të përfshin përmes nënkuptimësive të saj, kur vjen prej Sedatit. Urime miku im Sedat Braja!
Gjirokastra ka shumë guida fotografike dhe librash, kjo e jotja i ka të dyja: Është guidë fjale dhe imazhesh. Shumë urime!