Shumica e televizioneve informative shqiptare ishin stacionuar në Bularat, për të transmetuar prej andej pamje live të varrimit të Konstandin Kacifas, minoritarit të vrarë nga forcat speciale.
Maratona e transmetimit u kritikua në median sociale, megjithatë kjo ngjarje ka dominuar diskutimet në mediat e të dy vendeve, të cilat duhet të theksohet se e ‘lëshuan dorën’ sa i përket nacionalizmave.
Pamjet e trupit të Kacifas në arkivol kanë bërë xhiron e rrjetit. Ato janë tregues tronditës i faktit se sa shpejt ndizen emocionet në rajonin tonë.
Disa mund të thonë se ky është një episod i veçuar që nuk do trazojë shumë ujërat mes dy vendeve. Megjithatë ai tregoi edhe njëherë se mediat kanë një rëndësi themelore kur bie fjala për ekuilibra të brishta në gadishullin tonë.