Kontrolli i Lartë i Shtetit javën e ardhshme do të fillojë auditimin e Bashkisë Gjirokastër. Burime të ArgjiroLajm.net thonë se inspektorët e KLSH-së do të nisin punën më datë 18 qershor sipas një plani të bërë publik më herët dhe më pas do të publikojnë raportin e tyre me gjetjet që do të zbulojnë. Si në çdo institucion tjetër publik, në fokus janë natyrisht prokurimet e fondeve, tenderat. Agjencia e Mirëqënies dhe Kujdesit Social Gjirokastër, pritet të marrë më shumë vëmendjen e KLSH-së për shkak se kjo agjenci zhvillon pjesën më të madhe të tenderave të Bashkisë Gjirokastër, ndërsa dy agjencitë e tjera pothuajse janë inekzistente, ndonëse formalisht atyre u akordohet buxhet në fillim të vitit dhe kanë drejtues.
Është fjala për Agjencinë e Kulturës, Turizmit, Trashëgimisë dhe Sportit, që drejtohet nga Kudret Alikaj, si dhe për Agjencinë e Shërbimit Publik, e cila drejtohet nga Et’hem Seferi. Këto tre agjenci u krijuan tre vjet më parë në bazë të ligjit të ri të pushtetit vendor dhe veprojnë si njësi më vete brenda Bashkisë Gjirokastër. Pavarësisht se përfitojnë fonde nga buxheti i madh i bashkisë, rezulton se pjesa më e madhe e tendereva për shërbime, mallra apo evente të ndryshme, që i duhen Bashkisë Gjirokastër, prokurohen nga Agjencia e Mirëqënies dhe Kujdesit Social, e drejtuar nga Armand Mamani. Në shumë raste, tendera që për shkak të specifikës së tyre është më e logjikshme të kryhen nga Agjencia e Kulturës, Turizmit, Trashëgimisë dhe Sportit apo nga Agjencia e Shërbimit Publik, rezulton që janë kryer nga Agjencia e Mirëqënies dhe Kujdesit Social.
Në pamje të parë kjo lexohet si një lëvizje e Zamira Ramit për të kanalizuar fondet publike drejt një dore të vetme. Arsyet nuk dihen, por hamendësime natyrisht që mund të bëhen. Ndoshta drejtuesit e dy agjencive të tjera nuk kanë besimin e kryebashkiakes apo mbase s’kanë nivelin e duhur të ekspertizës për të menaxhuar fondet për kulturën ose shërbimet e tjera publike. Mund të ketë arsye të tjera. Por le të mos paragjykojmë dhe të presim raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërkohë që ArgjiroLajm.net do të publikojë në vazhdim një pasqyrë të plotë të tenderave që janë bërë prej këtyre tre agjencive në varësi të Bashkisë Gjirokastër, për të parë më mirë se si qëndron raporti konkret mes tyre. Sa fonde ka qarkulluar Armand Mamani, Et’hem Seferi dhe Kudret Alikaj. Në po të njëjtën mënyrë do të veprojmë edhe me bashkitë e tjera të qarkut Gjirokastër. Kjo është një përpjekje modeste e jona për të bërë transparencë të fondeve publike, duke u bazuar në fakte, dukumente të tjera dhe informacione të verifikuara. Transparenca nuk i bën dëm interesit publik, përkundrazi e ‘shëndosh’ më tej demokracinë dhe përpjekjen tonë të përbashkët për t’u integruar në BE. Nëse kontribuojmë të gjithë nga pak, me siguri që Shqipëria do të bëhet një vend më i mirë.
© ArgjiroLajm.net