Nuk zgjat shumë eksperienca e Julian Ahmatajt si pjesë e klubit të Tiranës. Trajneri i cili ishte afruar vetëm një javë më parë nga bardheblutë dhe ishte konfirmuar zyrtarisht si pjesë e akademisë, ka vendosur shumë shpejt të prishë këtë marrëveshje për të qenë përsëri “në treg”.
Nuk dihet ende me saktësi se çfarë ka ndodhur, por Ahmataj ishte emëruar zyrtarisht nga klubi më datë 8 gusht, nëpërmjet një njoftimi që saktësonte si ai ishte trajneri i ekipit U17 dhe njëkohësisht skaut i bardhebluve për afrimin e futbollistëve. Një javë më vonë, Ahmataj ka mbyllur këtë bashkëpunim me bardheblutë, për arsye ende të pashpjeguara.
Afrimi i Ahmatajt, apo edhe ai i Devollit, u cilësua shpeshherë gjatë këtyre javëve si një “kërcënim” për Ardian Memën dhe pankinën e tij. Ndaj pritet të mësohet se mos kjo ka qenë ajo që ka shtyrë Ahmatajn të bëjë prapakthehu. Tani ka kureshtje se cili do të jetë hapi i radhës i karrierës i trajnerit elbasanas i cili në dy vite bëri mrekulli në Kamëz e Gjirokastër, ndërsa dukej se ishte gati për hapin e madh në një skuadër me më shumë pretendime në Superiore.