Ish-ministri i dënuar për korrupsion si ‘yll ndriçues’ i protestuesve të PD Gjirokastër (FOTO)


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Në protestën e djshme të opozitës në Tiranë, bashkë me grupin e militantëve dhe mbështetësve nga Gjirokastra, ishte i pranishëm edhe ish-ministri i Punës dhe ish-deputeti Spiro Ksera. Kjo nuk është hera e parë që Ksera merr pjesë në protestat apo eventet që organizon PD-ja. Ai ka qenë i pranishëm në çdo ngjarje, përfshi këtu edhe takimet elektorale të Tritan Shehut në vitin 2017. Ish-ministri u dënua me dy vite burg dhe heqje të së drejtës për ushtrim të funksioneve publike për pesë vjet.

Ai akuzohej për korrupsion dhe shpërdorim fondesh publike gjatë kohës kur drejtonte Ministrinë e Punës. Spiro Ksera është në lirinë e vet të mbështesë PD-në, por prania e tij në ngjarje të ndryshme publike, përfshi këtu edhe protestat, nuk i bën nder PD-së, përkundrazi e dëmton më shumë.

Si mund të jetë e besueshme PD-ja në Gjirokastër dhe në gjithë Shqipërinë kur në radhët e para të saj qëndron ish-ministri i dënuar me vendim gjykate? PD nuk frymëzon dot me Spiro Kserën, nuk mund të jetë e besueshme me njerëz që kanë abuzuar me pushtetin dhe vjedhjet e tyre janë dokumentuar.

Nuk po kërkojmë ‘luftë klasash’, por po flasim për mënjanim nga rreshti i parë i atyre që s’kanë çfarë t’i japin më PD-së. I tillë është edhe Spiro Ksera. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë edhe në këtë rast vlen ajo që ka pas thënë në vitin 2013 Mustafa Nano: “Të gjithë qelbësirat bashkë për të rrëzuar Berishën”. Sot PD nuk ka nevojë për të mbledhur pas vetes gjithë ‘qelbësirat’ për të rrëzuar Edi Ramën.

Mjaftojnë njerëz të thjeshtë e të ndershëm, që nuk janë bërë pis nga paratë e korrupsionit, tenderave dhe fondeve publike. Nëse bën koalicion mbarëpopullor me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, opozita ia shkurton ditët Edi Ramës. Me Spiro Kserën si ‘yll ndriçues’ në krye të protestës, Edi Ramës nuk i hyn gjëmb në këmbë.

©argjirolajm.net