Koço Kokëdhima është shprehur kundër ndërtimit të kampeve për refugjatët sirianë në Shqipëri. I ftuar në studion e “News 24”, Kokëdhima ka paralajmëruar se nuk do ta lejojnë ngritjen e kampeve në Shqipëri, në të kundërt, siç tha ai, “do të kalojnë mbi trupat tanë”. Duke e cilësuar si një akt tradhtar ndaj Shqipërisë ngritjen e kampeve për refugjatët sirianë, Kokëdhima tha se:
“Ne nuk do ta lejojmë, ne do ta luftojmë me trupat tonë. Ata që mendojnë që do ja hedhin Shqiptarëve po i bëjnë varrin e vetes.I ftoj Shqiptarët të çohen në këmbë sot dhe të luftojnë, që mos ta kenë më të vështirë nesër”. Koço Kokëdhima deklaroi se nëse kjo realizohet, Shqipëria përballet me një rrezik të madh. Sipas Kokëdhimës, me ardhjen e tyre, Shqipëria do të bëhet si “Guantanamo e mesdheut apo Siria e Europës”. Ndër të tjera, Kokëdhima theksoi se një ndër rreziqet më të mëdha që i kanoset Shqipërisë, është të mbetet pa shqiptarë.
“Të sjellësh refugjatë në një vend që dëbon njerëzit e vet, është dënim për ta. I sjellin në Shqipëri për ti larguar nga Europa. Nuk ka bazë nuk ka logjikë. Shqipëria do jetë si një kamp i rrethuar më tela me gjemba, do të hiqet Shëngen, do anullohet heqja e vizave”, tha ai. Kokëdhima, gjithashtu tha se do shkatërrohet edhe një ndër degët kryesore të ekonomisë, siç është turizmi, pasi sipas tij “Shqipëria do të kthehet në një vend të padëshirueshëm”.