Presidenti i Republikës, Ilir Meta i është drejtuar përmes një kërkesë KQZ, ku i kërkon informacion sa është numri i deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe sa është vakanca në të pas dorëzimit të mandateve nga deputetët e opozitës në muajin shkurt të këtij viti dhe ezaurimit të listë së kandidatëve.
Aktualisht, Parlamenti ka 122 deputetë, ndërsa i mungojnë 18 mandate pas shterimit të listave të opozitës për plotësimin e vendeve vakante. Letra e Metës i drejtohet kreut të KQZ, Klement Zguri. Ky hap i kreut të shtetit, mund të lexohet edhe si fillimi i procedurës për shkrirjen e Kuvendit, teksa kujtojmë deklaratën e tij të mëhershme se Kuvendi legjitim i Shqipërisë ka 140 deputetë.
“Cili është numri aktual i mandateve të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në shkallë vendi? Vënien në dispozicion të listës emërore të deputetëve aktualë të Kuvendit të Shqipërisë për çdo zonë zgjedhore për çdo subjekt si dhe listën emërore të deputetëve në shkallë vendit”– pyet Meta në dokument.