Kryetarët e degëve të Partisë Demokratike, të cilat kanë një rezultat negativ në raport me zgjedhjet e 2013, janë gjithashtu të ekspozuar ndaj ndryshimeve në PD. Partia Demokratike, në zgjedhjet e 25 Qershorit 2017, ka marrë rreth 200 mijë vota më pak se sa në zgjedhjet e parlamentare të 2013. Votat mungojnë në gati 50 degë të kësaj partie, ndërsa një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi kryetarët e degëve të PD.
Konkretisht, më të rrezikuar janë krerët e degëve të PD në Korçë, Shkodër, Elbasan, Berat, Dibër, Kukës, Lezhë dhe Tiranë, ku humbja e PD është më e thellë. Pas humbjes së zgjedhjeve lokale, pati një konflikt politik mes kupolës së lartë drejtuese të PD dhe krerëve të degëve. Konflikti u shua me afrimin e zgjedhjeve parlamentare, por gjasat janë që të kthehet në një formë edhe më të ashpër tani që PD pësoi humbjen e radhës.
Për Gjirokastrën nuk dihet ende asgjë. Eshtë e paqartë se si do të rreshtohen njerëzit e saj në garën formale mes Bashës dhe Selamit, ndonëse nuk pritet ndonjë surprizë për aq kohë sa kjo është një gare për të cilën dihet fituesi, njësoj sic ishte gara e Ramës me Maqo Lakrorin në vitin 2009.
Pas rizgjedhjes së Bashës në krye të PD-së, pritet të ketë një riorganizimi të degëve lokale në cdo qark të vendit. Por sidoqoftë ky është një proces që do të marrë kohë. Për momentin e gjithë vëmendja është fokusuar te rikonfirmimi i Bashës. Ndërkohë ekziston frika e krijimit të një grupimi të ri politik me të pakënaqurit dhe kritikët e Lulzim Bashës në PD.