Pamundësia për tu siguruar ushqim dhe kurim dy fëmijëve të mitur e bën këtë nënë të re të shpërthejë në lot.
Pas vdekjes së kryefamiljarit 4 muaj më parë nga leucemia, Tereza Kumbuli, djali 8 vjeçar dhe vajza e mitur, po përballen të vetëm me sfidat e mbijetesës.
Tereza Kumbuli: “Do spinaqin, do mishin, i do të gjitha por nuk ia plotësoj dot. Jam shumë keq.”
Vajza 2 vjeçare vuan nga sëmundja e epilepsisë. Por me 7 mijë lekë ndihmë ekonomike, Tereza nuk mundet tu sigurojë as ushqimin, ndaj barnat i merr me listë.
Më 19 prill, vajza ka vizitën e radhës në Tiranë, ndaj apeli i nënës është për ndihmë.
Tereza Kumbuli: “Dua 30 mijë lekë në javë për ilaçet e vajzës se e kam dhe me anemi. Nuk ia plotësoj dot.”
Sëmundja e 2-vjeçares i pamundëson nënës të punojë, ndaj ajo shpesh mbetet në mëshirën e fqinjëve.
Fqinje: “E ndihmojmë por me se, me sa?”
Fqinje: “Kushdo që ta shikojë të vendosë dorën në zemër.”
Vetë Tereza është rritur si jetime, ndërsa ky fat tashmë po ndjek edhe fëmijët e saj.