Deputeti i LSI-së në Gjirokastër, Vangjel Tavo, ka reaguar sot lidhur me debatin për ndërtimin e një HEC-i në fshatin Kolonjë. Ai thotë se ky projekt duhet të ndalet sepse dëmton burimin e fshatit, por është edhe klientelist për më tepër. Sipas Tavos, ky HEC është një favor që po u bëhet miqve të një ish-ministri, emrin e të cilit deputeti i LSI-së s’e zë në gojë. Kjo është hipokrizia e parë e tij në raport me banorët e Kolonjës.
Hipokrizia e dytë lidhet me faktin se Vangjel Tavo ka heshtur për këtë HEC edhe pse e dinte shumë kohë më parë. Leja për ‘HEC Kolonja’ është dhënë në maj 2017, atëhere kur LSI ishte në koalicion me PS-në dhe madje kur Tavo me atë ish-ministrin që sot nuk guxon t’i zëjë emrin në gojë, ndanin pushtetin në Gjirokastër e më gjerë. Pra, jemi në kushtet kur Tavo heshti para dy vitesh kur ishte dhënë leja për HEC-in.
Sot reagon për populizëm vetëm prej faktit se banorët u çuan në protestë. Nëse deputeti i LSI-së do të ishte realisht i shqetësuar për ndërtimin e HEC-it në Kolonjë, do ta kishte thënë këtë gjë këtu e dy vjet më parë që kur u dha leja. Reagimi i tij sot është hipokrizi dhe thjesht sa për t’u thënë kolonjarëve se edhe unë jam me ju. Më poshtë deklarata e plotë e Tavos.
Apel ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë,
Shpreh indinjatën time të thellë dhe apeloj për anullimin e menjëhershëm të projektit të ndërtimit të HEC-it në fshatin Kolonjë të Gjirokastrës, pasi jo vetëm që do të dëmtojë burimin e Rehovës, por do të pengojë furnizimin me ujë për banorët e fshatrave të Kolonjës dhe Picarit.
Banorët e këtyre fshatrave do mbeten pa furnizim uji për përdorim të përditshëm por edhe vaditje. Ky projekt cënon furnizimin jetik të ujit për banorët dhe dëmton ekonominë e zonës.
Projekti i HEC-it në Kolonjë është tërësisht klientelist dhe do të zhvillohet jashtë çdo transparence institucionale, pa asnjë konsultim me autoritetet vendore, përkundrazi është një rast klientelist dhe abuzues në favor të miqve të ndonjë ish-ministri të kësaj qeverie.
Apeloj që projekti të anullohet urgjentisht, dhe asnjë sipërmarrës apo njeri me pushtet të mos tentojë të abuzojë me të drejtat dhe burimet jetike të banorëve të kësaj zone të cilët nuk e meritojnë një trajtim të tillë, përkundrazi shquhen për dinjitetin dhe respektin e pashoqë që tregojnë por edhe që meritojnë si nga qeveria ashtu edhe nga sipërmarrësit.
Jam në krah të banorëve të këtyre fshatrave dhe ftoj edhe deputetët e Partisë Socialiste të qarkut të Gjirokastrës të pozicionohen në krah të banorëve dhe të apelojnë për anullimin në mënyrë urgjente të këtij projekti.
Ndaleni këtë padrejtësi.
Urgjentisht.