Hashash me mushka nga Skrapari në Përmet, kapet 41 vjeçari (Emri)


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Në tetor të 2015-së, dy grupe në Skrapar kanë bërë “luftë” me armë për një sasi prej 100 kg kanabis. Rreth 4 vite më pas, policia ka arrestuar njërin prej personave që qëlloi me armë grupin që kërkonte tu vidhte sasinë e drogës. Në pranga ka rënë Fati Ibro, 41 vjeç.

Fati Ibro dyshohet se bashkë me dy vëllezërit e tij katër vite më parë po transportonin lëndë narkotike nga Skrapari në Përmet, ku në fshatin Verçisht janë përplasur me armë me 4 persona të tjerë.

“Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së parë Përmet me vendim Nr.43 datë 17.12.2015, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, i dyshuar për veprat penale, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Vrasje me dashje, mbetur në tentativë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”,”-thotë policia.

Çfarë ndodhi në 2015-në?

Fenomeni i trafikut të drogës nëpërmjet kafshëve ishte aktivizuar në ato vite , ndërsa grupet kriminale i grabisin ato në pritë.

Në tentativën për të grabitur sasinë e lëndës narkotike në zonën e Përmetit, pati të shtëna armësh mes dy grupeve. Ngjarja përfundoi me një person të plagosur, i cili u arrestua bashkë me dy të tjerë, ndërsa katër persona janë shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në fshatin Vërcisht të Përmetit, ku 39-vjeçari Gazmor Ibro u qëllua me automatik në përpjekje për të mbrojtur 100 kg marijuanë. Këtë sasi ai po e transportonte me mushkë së bashku me dy vëllezërit e tij, Ilirjan e Fati Ibro

Në fshatin Vërcisht, vëllezërve Ibro u është bërë pritë nga katër persona, konkretisht Roland Pata, Altin Merdani, Stefan Gjoka dhe Elton Abazaj.

Këta të fundit, të armatosur me automatikë, kanë pasur për qëllim grabitjen e sasisë së lëndës narkotike dhe shitjen e saj te persona të tretë. Palët janë përfshirë në përplasje me armë dhe për pasojë mbeti i plagosur Gazmor Ibro, i cili u dërgua me helikopter në Spitalin e Traumës. Shkëmbimi i zjarrit ka zgjatur gati 30 minuta.

Në përfundim të operacionit, policia sekuestroi sasinë prej 100 kg marijuanë e fshehur në 16 thasë. Përveç këtyre, Policia ka sekuestruar edhe tri automjetet e të arrestuarve, si dhe gëzhoja automatike e pistolete në vendngjarje.

Njoftimi i Policise sot:

Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim.

Kapet dhe ndalohet 41- vjeçari i shpallur në kërkim për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Vrasje me dashje, mbetur në tentativë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.

Nga Strukturat e Komisariatit të Policisë Skrapar në bashkëpunim me shërbimet e Hetimit të Krimit në DVP Berat, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit F.I., 41 vjeç, banues në Nikollarë, Skrapar.

Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së parë Përmet me vendim Nr.43 datë 17.12.2015, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, i dyshuar për veprat penale, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Vrasje me dashje, mbetur në tentativë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.

Ky shtetas dyshohet se bashkë me dy vllezërit e tij po transportonin lëndë narkotike nga Skrapari në Përmet, ku në fshatin Verçisht janë përplasur me armë me 4 persona të tjerë.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat për veprime të mëtejshme./ Mapo