Harta e rrugëve me dëborë, ja ku duhet të bëni kujdes


Na ndiqni në Facebook, Instagram dhe Youtube:
  • Facebook
  • Instagram
  • Youtube

Shkodra, Kukësi, Korça, Gjirokastra, Dibra dhe Elbasani janë qarqet që janë prekur më shumë nga reshjet e dëborës ditën e mërkurë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përditësuar informacionet rreth gjendjes së rrugëve dhe ka paralajmëruar se në Qafë Thanë-Kapshticë dhe Qafë Qarri-Ersekë qarkullimi behët me zinxhir.

Në Tepelenë-Kakavijë kanë filluar reshjet e shiut, qarkullimi është i mundur pa zinxhirë, por duhet të bëhet me kujdes.

Në Pukë Fushë Arëz Qafë Mali, Hani i Hotit Tamarë, Dedaj-Razëm, Qafë Laç-Koman, Qafë Mali- Fierzë, Kuben- Vasije qarkullimi bëhet me zinxhir. Segmenti Fierzë-Ura e Bujanit-Qafë Morinë, i qarkullueshëm me zinxhir.

Aksi Kukës-Ura e Zapodit, Kukës-Bushtricë, i qarkullueshëm me zinxhir. Segmenti Kukës Krumë, Krumë Qafë Prushi, Plepa-Kam të qarkullueshëm me zinxhir.

Më herët, në një dalje për mediat, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka apeluar qytetarët që të kenë kujdes.

“Akset rrugore kombëtare janë të gjitha të qarkullueshme, me përjashtim të aksit rrugor Tepelenë–Gjirokastër, i cili është përkohësisht i bllokuar në vendin e quajtur Uji i Ftohtë, si dhe një pjese në aksin Gjirokastër-Kakavijë. Sa i takon akseve rurale, të bllokuara janë akset në zonat e thella malore, kryesisht në qarqet Shkodër, Kukës, Korçë, Gjirokastër, Dibër dhe Elbasan”, tha ministrja.

Xhaçka kërkon që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme, deri në përmirësimin e situatës.

“Do të kërkonim të evitonit daljet e panevojshme nga shtëpitë. Për të gjithë ju, që keni nevojë për asistencë, duhet t’i drejtoheni ambienteve të përshtatshme të ngritura nga pushtetit vendor në raste emergjencash, të telefononi në numrat e emergjencave 126, 127, 128 dhe 129 ose tu drejtoheni shtabeve të emergjencave në qytetet tuaja”, nënvizoi ministrja e Mbrojtjes.

Ndërkohë, mbi 2 mijë efektivë të Forcave të Armatosura, Policia, OSSHE dhe Shëndetësia janë në gatishmëri. Po ashtu, dhe helikopterët e Forcës Ajrore janë të gatshëm të ndërhyjnë nga ajri.