Ish-ministrja e Kulturës dhe njëherazi deputetja e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro, ishte së fundi për një vizitë në Francë në kuadër të një turi takimesh ndërkombëtare për procesin e hapjes së negociatave. Bashkë me të ishte edhe deputetja Senida Mesi, deri para disa muajsh zv.kryeministre, si dhe deputetja e opozitës, Rudina Hajdari, e cila kryeson Komisionin e Integrimit në Kuvend.
Kumbaro, Mesi e Hajdari patën takime me grupin parlamentar të miqësisë Francë-Shqipëri, me Kryetaren e Komisionit për Europën të Asamblesë Nacionale, Sabine Thillaye, me Kryetarin e Komisionit për Europën në Senatin francez, Jean Bizet, por edhe me Drejtorin për Europen dhe per Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Francës, Christophe Parisot dhe Thomas Bertin.
“Nuk mund të mos shpreh kënaqësinë që në çdo takim doli në pah progresi i Shqipërisë në realizimin e detyrave që kemi marrë përsipër, sikurse dhe në vendosmërinë për të mos e ndalur reformën në drejtësi “mbresëlënëse” siç e quajtën ata, dhe unikale. Të ndërgjegjshëm për temperaturat politike europiane në pritje të rezultateve të zgjedhjeve për Parlamentin Europian, e më pas të raportit final të Komisionit Europian, morëm sërish konfirmimin se Franca mbetet në të gjitha nivelet një partner strategjik i rëndësishëm për Ballkanin e posaçërisht për Shqipërinë dhe se perspektiva jonë është vetëm në BE, siç e konfirmoi Presidenti Macron ne Samitin e Berlinit. Të ndjeshëm gjithashtu edhe ndaj problemeve të brendshme politike në vendet e BE e në Francë, – e kush nuk i ka- se gjithkush ka një rol për të luajtur që ekstremizmat dhe populizmi të mos dominojë skenat politike dhe të mos helmojë opinionin publik europian. Kjo është sfida më e madhe e Europës së Bashkuar sot e cila, duam apo s’duam ne, ndikon në vendimmarrjet politike të zgjerimit”, shkruan Kumbaro në një postim në Facebook.
Më tej ish-ministrja shprehet se sfida jonë e radhës mbetet sigurimi i së drejtës së votës për çdo shqiptar në datën 30 qershor, duke paralajmëruar në këtë mënyrë opozitën se ajo nuk mund të bllokojë dot procesin zgjedhor.