Greqia dhe Bularati, reagon sërish Rama: S’ka më mirë se sa i sulmuar nga dy palë qirie Kadrinj që s’i duhen dreqit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për deklaratat që pasuan ngjarjet e djeshme në Bularat si nga Greqia ashtu dhe nga Shqipëria. Duke komentuar këto reagime nga politika greke dhe shqiptare për thirrjet nacionaliste dhe anti shqiptare në Bularat, Rama tha se është sulmuar nga të dyja palët ‘qirie Kadrinj’, duke përdorur fjalën greke për ‘zotërinj’, por që sipas tij nuk i duhen as dreqit.

“Sipas kokave të përndezura të politikës greke e kazanëve të atjeshëm, dje i paskam hedhur benzinë zjarrit, ndërsa sipas Kadrinjve tanë politikë e mediatikë paskam pranuar në heshtje përdhosjen e vendit! S’ka më mirë se sa i sulmuar nga dy palë qirie Kadrinj që s’i duhen dreqit😉”, shkruan Rama.

Kryeministri i Greqisë Alexis Tsipras tha se ato që ndodhën dje në Bularat nga ekstremistë grekë ishin të justifikueshme

“Sot është një ditë zie për homogjenët dhe për familjen, nuk do doja të bëja një koment të veçantë, sepse kuptoj ditët e zisë, kuptoj nënën e shkretë, prandaj dhe këto orë janë tepër të kuptueshme dhe zemërimi, hidhërimi, nervozizmi, nuk e kundërshtoj këtë. E vetmja gjë për të cilën ju siguroj është se Greqia veproi siç duhet, siç parashikohet në raste të tilla”, u shpreh dje Tsipras.

Nga ana tjetër në Shqipëri reagoi PDIU, e cila tha se ngjarjet e djeshme treguan se shteti shqiptar ka rënë. Po ashtu dhe ish-kryeministri Sali Berisha tha se u përdhos territori shqiptar nga ekstremistë të tërbuar grek dhe dënoi heshtjen e Tiranës dhe Athinës.