41-vjeçari shqiptar që goditi për vdekje me thikë bashkëkombësin dhe njëherazi kushëririn e gruas së tij në Anchialos të Greqisë, ka rrëfyer ditën e djeshme në Prokurori shkaqet dhe rrethanat e krimit. Autori është shprehur përpara hetuesve se kur ka vrarë 38-vjeçarin ka qenë “në gjendje jo të qartë”, pasi ishte nën efektin e alkoolit.
Sipas dëshmisë së tij, 41-vjeçari është ulur në tryezë së bashku me viktimën për të ngrënë dhe pirë në gjysmë-bodrumin e shtëpisë, ku po pushonin familjarisht. Më pas, ata kanë nisur të konfliktohen në gjendje të dehur në sy të fëmijëve të vegjël. Pas konfiktit verbal, autori ka dalë jashtë dhe pasi ka marrë një thikë, ka qëlluar drejt 38-vjeçarit.
Kur e kuptoi se çfarë kishte bërë, vrasësi ka dalë nga shtëpia dhe ka tentuar të largohet. Ai dyshohet se ka hedhur thikën në një kamion dhe arma e krimit duket se ende nuk është gjetur. Ndërsa viktima, edhe pse u dërgua shpejt në spital, ka ndërruar jetë rrugës për shkak të plagëve të marra.
Sipas Kodit të ri Penal, dënimi me të cilin do të përballet autori i krimit, babai i tre fëmijëve, varion nga dhjetë vjet deri në burgim të përjetshëm.