Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër ka pushuar gjykimin për padinë e shfuqizimit të aktit administrativ të Këshillit Bashkiak të Gjirokastër të datës 24 maj, për zëvendësimin e anëtarëve të Këshillit Bashkiak në Këshillin e Qarkut. Është fjala për seancën ku grupimi PD-LSI shkarkoi Shkëlqim Guçen dhe Armand Hilajn. Gjykata e ka pushuar çështjen me argumentimin se ky vendim nuk përfshihet në juridiksionin e saj dhe se është Prefekti i qarkut ai që duhet të shprehet për të. Por ndërkohë prefekti Astrit Aliaj është shprehur për këtë akt në datën 7 të këtij muaji.
Sipas shkresës që ArgjiroLajm.net disponon, prefekti ka konstatuar se vendimi i Këshillit Bashkiak Gjirokastër për shkarkimin e Shkëlqim Guçes dhe Armand Hilajt, është marrë në kundërshtim me ligjin. Konkretisht me nenin 75, pika 3 e ligjit nr. 139/2015 ‘Për vetëqeverisjen vendore’.
Në këto kushte, Gjykata Administrative Gjirokastër, duke parë se vendimi është shfuqizuar nga Prefekti, vendosi të rrëzojë kërkesën e palës paditëse, që në këtë rast ishte Armand Hilaj dhe Shkëlqim Guçe. Rrjedhimisht, vendimi nr.45 i Këshillit Bashkiak për shkarkimin dy këshilltarëve të PS-së, nuk mund të sjell asnjë pasojë nga momenti që është shfuqizuar. Zbardhja e vendimit të Gjykatës pritet të bëhet nesër.
© ArgjiroLajm.net