Policia e Gjirokastrës ka reaguar pas kapjes në mbrëmje të një sasie droge dhe arrestimit të dy personave. Në njoftimin e shkurtër për mediat, policia nuk bën me dije sasinë e drogës së kapur dhe as jep detaje të tjera rreth operacionit.
“Nga Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me FNSH e Fierit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Th.L, dhe A.A, pasi u kapën në flagrancë duke transportuar një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e shkurtër të policisë.
Ndërkohë sikundër ka raportuar më herët Argjirolajm.net, të arrestuarit janë Armando Armaçi, 30 vjeç nga Kuçova, banues në Ksamil dhe Theodhori Lici nga fshati Grapsh, Dropull, 30 vjeç.
Ata janë pikasur rreth orës 17:00 nga shërbimet e FNSH-së që patrullojnë kufirin e gjelbër në këtë zonë. Ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti, ndërsa nuk ka të dhëna për destinacionin dhe sasinë e drogës, e cila u bllokua pas ndërhyrjes së FNSH-së.