Kuvendit pritet t’i shtohen edhe tre deputetë të rinj nga listat shumëemërore të partive opozitare për të plotësuar vakancat e krijuara pas dorëzimit të mandateve prej tyre.
Kandidatët që kanë dorëzuar formularët e dekriminalizimit dhe janë në pritje të marrjes së mandatit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë: Andi Përmeti nga lista shumëemërore e Partisë Demokratike për qarkun Korçë; Eugent Bojaxhi i listës shumemërore të LSI për Qarkun e Beratit; Fatjona Dhimitri kandidate nga lista e Partisë Demokratike në Gjirokastër.
Në seancën e fundit parlamentare, atë të datës 11 Prill, u betuan tre deputetë të rinj, duke zënë zyrtarisht vend në karriket e opozitës. Me Korab Litën për Tiranën, Arlind Çarçanin për Korcën dhe Halil Jakimin për Dibrën, numri i ligjvënësve në Kuvend shkoi në 102.
Nëse tre kandidatët që janë në pritje do të marrin mandatet, numri i deputetëve do të shkojë në 105, ndërkohë që opozita e re bëhet me 26 deputetë.