Grigor Tavo nuk është më presidenti i Luftëtarit dhe lajmi u bë i ditur mëngjesin e sotëm, kur vetë Tavo kishte menduar të shkruante një letër të hapur, duke njoftuar edhe largimin nga bluzinjtë. Shkak për këtë largim, janë bërë vështirësitë ekonomike në klubin gjirokastrit dhe mungesa e korrektësisë nga aksionerët.
Vendimi për t’u larguar nga Luftëtari, sipas Tavos u bërë për t’i hapur rrugë aksionerëve të rinj, ndërkohë që tifogrupi “Shqiponjat Bluzi” kanë reaguar në lidhje me këtë situatë. Ata kanë falënderuar Tavon për kontributin e dhënë në klub, ndërkohë që kanë edhe një kërkesë për të.
“Z. Grigor Tavo ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i ekipit K.F Luftëtari, pavarësisht gjithçkaje ne na duhet të falënderojmë për atë çka ke bërë për ekipin tone.
Kaluam një periudhe të lavdishme, edhe pse mundësitë ishin për gjëra më të mëdha. Gjithsesi ne ju urojmë suksese bos. (Të lutem dhe një kërkese të fundit, mos lë asnjë nga qentë e tu që na pinë gjakun, hidhu ndonjë kockë dhe merri me vete.)”, shkruhej në njoftimin e klubit.