Masakra urbane që është bërë në Gjirokastër ndër vite, me ndërtime vend e pavend, jashtë çdo parametri urbanistik, është vetëm njëra anë e medaljes. Për jo pak pallate është dhënë leja e shfrytëzimit nga Bashkia Gjirokastër ndonëse punimet në objekt ishin të papërfunduara. Një rast i tillë është në lagjen ’11 Janari’, ku banorët e një pallati denoncojnë te ArgjiroLajm.net situatën me të cilën përballen çdo ditë.
Pallati 7 katësh nuk ka ende një ashensor, edhe pse banorëve iu është thënë vazhdimisht se ai do të ndërtohet. Që prej vitit 2011 kur nisi shitja e apartamenteve ashtu në gjendje të papërfunduar, sipas marrëveshjes së ndërtuesit me blerësit, s’ka asnjë përpjekje për të ndërtuar ashensorin e pallatit, pavarësisht se kjo ishte pjesë e kontratës. Banorët thonë se vendi ku duhet të vendoset ashensori qëndron ashtu i hapur, duke u kthyer në një rrezik potencial për të ta sa herë zbresin shkallët. Nga ana tjetër, ata denoncojnë edhe punimet me cilësi të keqe dhe gjysmë të përfunduara.
Siç shihet në foto, lagështia nëpër mure është kudo, ndërsa disa dritare të korridoreve të pallatit s’kanë ende xhama dhe se banorët vetë janë detyruar t’i mbulojnë me plastmas. Edhe pse cilësia e punimeve dhe blerja e apartamenteve është tërësisht një marrëdhënie kontraktuale mes dy palëve private, shitësit dhe blerësit, ajo që mbetet pashpjegueshme është se si mund të jepet leja e shfrytëzimit nga Bashkia Gjirokastër, në kushtet kur objekti është ende i papërfunduar? ‘Njeriu punon gjithë jetën për të siguruar të vetmen gjë që i nevojitet më shumë, shtëpinë, por vjen një ditë dhe ajo bëhet e pajetueshme për shkak të papërgjegjshmërisë njerëzore dhe mungesës së shtetit’, thotë një prej banorëve të këtij pallati për ArgjiroLajm.net