Në mbledhjen e kaluar të Këshillit Bashkiak Gjirokastër, këshilltarët e PD-së këmbëngulën se nuk do ta lëshonin postin e kreut të këshillit, pasi prisnin vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila do të vlerësonte ligjshmërinë e zgjedhjes së Vjollca Kokos. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe vetë Mimoza Çomo, e cila ishte zgjedhur për pak kohë në krye të këshillit me votat e PD-së dhe LSI-së. Por në mbledhjen e sotme është përmbysur gjithçka. Befas Mimoza Çomo dorëzoi postin, pa pritur më parë vendimin e Gjykatës së Apelit sikundër u tha në mbledhjen e shkuar. Ajo vendosi kështu të respektojë vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, që njeh Vjollca Kokon si kryetare këshilli.
Me siguri tërheqja e sotme e Mimoza Çomos vinte për shkak se nuk kishte pritshmëri që Gjykata e Apelit të rrëzonte zgjedhjen e Vjollca Kokos dhe se këmbëngulja e PD-së në mbledhjen e shkuar ishte thjesht luftë nervash. Por deri më tani PD ka sekretarin e këshillit, Spartak Drasën. Mbetet për t’u parë nëse shumica e re e krijuar nga këshilltarët e PS dhe LSI do ta shkarkojë apo ajo në mbledhjet e ardhshme. Nëse nuk ndërmerret një veprim i tillë, do të jemi para një rasti unikal, ku të trija palët janë në ‘koalicion’ me njëra-tjetrën brenda Këshillit Bashkiak Gjirokastër. Kryetarja është e LSI-së, sekretari është i PD-së, ndërsa shumica e këshilltarëve i përket PS-së.
© AgjiroLajm.net