Mërgim Neziri është përforcimi më i ri i skuadrës së Luftëtarit në janar. Mbrojtësi i cili në të kaluarën ka luajtur me Kamzën në Superiore, tashmë është bërë pjesë e gjirokastriteve duke u vënë nën urdhrat e trajnerit Mezani për pjesën e dytë të sezonit.
“Kisha disa oferta nga Superliga e Kosovës dhe Maqedonisë por vendosa të vija këtu se Luftëtari ka mentalitet luftarak dhe kjo është arsyeja pse erdha këtu. Skuadra ka ndryshuar shumë që kur kam luajtur unë kundër saj me Kamzën. Por mendoj që djemtë në stërvitje kanë treguar atmosferë të mirë dhe shpresoj të marrim maksimumin në vijim”, tha ai për RTSH. “Shpresoj dhe besoj që do t’ia arrijmë qëllimit, të mbetemi në Superiore”.
Ai ia lë në dorë plotësisht trajnerit aktivizimin apo jo të tij si titullar, por tregon se ka në plan që të qëndrojë për një kohë të gjatë në te Luftëtari, për sa kohë që kjo skuadër është në Superiore.
“Unë titullar? Respektoj trajnerin dhe punën e tij. Ai e vendos siç është më mirë për ekipin. Kam ardhur këtu dhe do të rri me afat më të gjatë. Shpresoj të na mbështetin tifozët maksimalisht se na shërben shumë dhe do t’ua kthejmë”, tha Neziri.