Pas largimeve të pjesës së titullarëve bluzinj, drejtuesit gjirokastritë në heshtje janë duke punuar për zëvendësimin e tyre, kryesisht me lojtarë nga tregu i huaj. Burime më shumë se të besueshme për “Panorama Sport mësuan pasditen e djeshme se menaxherë që bashkëpunojnë me skuadrën gjirokastrite janë pranë goditjeve cilësore. Fjala është për sulmuesin Majkëll Olaitan dhe mesfushorin Abdurahman Aleksandros Rahim.
MAJKËLL OLAITAN – 26- vjeçari nga Nigeria është sulmuesi me të cilin thonë burimet, është arritur akordi financiar. Majkëll Olaitan ka një eksperiencë të gjatë në kampionatin helen, kulmin e së cilës e ka arritur me skuadrën më të titullar në Greqi, Olimpiakosin. Olaitan, sezonin e fundit është aktivizuar tek Apolonia, teksa më herët ka qenë pjesë e skuadrës me shumë përvojë edhe në Kupat e Europës. Me fanellën e Olimpiakosit në 25 ndeshje ka shënuar 11 gola. Në radhët e Verias, në 68 ndeshje ka rezultuar si autor i 17 golave.
Olaitan është aktivizuar jo vetëm në Greqi, por dhe jashtë saj, konkretisht në kampionatin holandez me Tuenten. Olaitan, gjithnjë nëse arrihet marrëveshja (për të cilën mësohet se është çështje e mbyllur), do të ishte zëvendësuesi ideal i kenianit Ismael Dunga, i cili me shumë gjasa është drejt “divorcit” me bluzinjtë. Kujtojmë se Dunga më herët ka kërkuar largimin nga Luftëtari, edhe pse është nën kontratë me bluzinjtë. Arsyeja për autorin e 10 golave të shënuar, sipas vetë Dungës, janë 5 rrogat e pamarra nga sezoni i mbyllur gati një muaj më parë.
ABDURAHMAN ALEKSANDROS RAHIM – Është njohje e vjetër për drejtuesit e Luftëtarit. Rahim është aktivizuar fazën e parë në radhët e Kastriotit, duke spikatur si një mesfushor shumë cilësor. I shpejtë, driblues dhe mbi të gjitha ndërtues i mirë i lojës sulmuese, cilësi këto që kanë joshur drejtuesit e Luftëtarit për të pasur shërbimet e mesfushorit Rahim sezonin e ardhshëm.
Me paraqitjen e tij me nota më shumë se pozitive në ndeshjen e parë të sezonit, ku Luftëtari u mund në shtëpi 0-1 nga Kastrioti, Aleksandros Rahim bëri diferencën në radhët e krutanëve./ Panorama Sport