Duket se kufiri i Shqipërisë në jug të vendit është jashtë kontrollit të policisë. Në këtë konkluzion dilet kur mësohet se vetëm në 24 orë, 36 refugjatë janë vetëdorëzuar dhe kapur nga policia në Tiranë e Shkodër. Kështu thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë së Shtetit të bërë në faqen zyrtare. Refugjatët kanë hyrë në territorin shqiptar përmes pikës kufitare të Kakavijës. Sipas policisë, 36 refugjatë nga vende të Afrikës veriore janë shoqëruar për në ambientet e Qendrës së Pritjes në Babrru.
Në Tiranë
Më datë 14.07.2018, në DVKM Tiranë, janë paraqitur 12 shtetas të huaj 5 Irakenë, 4 Marokenë, 2 Jemenas dhe 1 Somalez, të cilët deklarojnë se më datë 11.07.2018, në afërsi të S.P.K Kakavijë, kanë hyrë ilegalisht. Në përfundim të kryerjes së procedurave kërkuan azil dhe u dërguan në QKPA, Babru Tiranë.
Në Shkodër
Më datë 14.07.2018, në Hanin e Hotit, në kufirin e gjelbër nga shërbimet e policisë kufitare u kapën 5 shtetas të huaj nga vendet e treta, të cilët tentonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët janë shoqëruar për në Babru Tiranë në pritje të plotësmit të dokumentacionit për kthim vullnetar në vendin e origjinës.
Më datë 13.07.2018, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe DVP Shkodër, në hyrje të qytetit, u kapën 19 shtetas të huaj, 13 Irakenë, 5 Sirianë dhe 1 Algjerian, emigrantë të paligjshëm. Në përfundim të procedurave, u dërguan në qendrën e azilkërkuesëve në Babrru, Tiranë.